Lista e gjatë e zyrtarëve të VV-së që u hetuan nga Kundër-Korrupsioni - NACIONALE

Lista e gjatë e zyrtarëve të VV-së që u hetuan nga Kundër-Korrupsioni

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri, ministra, deputetë, këshilltarë, por edhe ambasadorë. Të gjithë këta tash e më shumë se një vit kur ka ardhur në pushtet qeveria Kurti II, janë bërë subjekt i hetimeve.

Kryeministri Kurti, ndoshta nga pakkush është pritur të bëhet subjekt i hetimeve nga një agjenci e cila në emërtimin e vet e mban edhe fjalën korrupsion.

Por, shtëpia ku banon kryeministri Kurti, duket se mund të përbëjë një konflikt interesi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, banon në një shtëpi të madhe në lagjen më prestigjioze të Prishtinës, Taslixhe. Por, qiraja e vogël të cilën e paguan është një dhuratë e përmuajshme për të.

Për këtë, Nacionale tashmë ka lajmëruar Agjencinë kundër Korrupsionit, e të cilët kanë thënë se do të merren me hetimin e rastit.

E hetimet ditë më parë nga anti-korrupsioni u hapën edhe për Florent Ramqajn, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës, për të cilin gjithçka nisi, nga një përgjim i publikuar nga Gazeta Nacionale.

Agjencia anti-korrupsion do të hetojë Ramqajn, nën dyshimin për konflikt interesi, kur ai mori vendime të cilat ndikuan direkt ose tërthorazi në përfitimin e kompanisë në të cilën kishte punuar vetë Ramqaj, e me të cilët ka edhe lidhje të ngushtë familjare.

Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar informatën nga ana juaj dhe do ta trajtojë brenda kompetencave ligjore të AKK-së”, i thanë Nacionales nga AKK.

Ministrat e Kurtit

Rozeta Hajdari ishte ndër ministret që për një kohë ishte subjekt i Kundër-Korrupsionit. E për të, e njëjta agjenci shkoi një hap më tutje. Ata ngritën kallëzim penal për deklarim të rrejshëm të pasurisë, të të ardhurave ose detyrimit financiar, ndaj ministres së Industrisë Tregtisë e Ndërmarrësisë.

“Rasti i ministres Hajdari ndërlidhet me vitin 2020, me mosdeklarim të pasurisë me kohë, në kohën kur e ka marrë detyrën si ministre. Do të thotë është një rast i vjetër, por që, për shkak të dështimit të dërgimit të formularit me kohë, ashtu siç e parasheh ligji, Agjencia e ka dërguar rastin e saj në prokurori”, ishte deklarata e kundër-korrupsionit.

Pra, rasti i ministres tash po hetohet nga organi i akuzës, Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme në qeverinë Kurti, gjithashtu nuk i shpëtoi “llupës” së anti-korrupsionit. Ndaj saj është iniciuar procedurë para-hetimore, për shkak të dyshimit se nuk e ka raportuar se ka në pronësi një kompani biznesi në Gjermani. Përveç kësaj, për Gërvallën agjencia është duke zhvilluar hetimet edhe për çështjen se Gërvalla, nuk i kishte treguar agjencisë se është Drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë, e se nuk nuk e ka deklaruar pasurinë e burrit dhe të fëmijëve të saj.

Një tjetër ministër që ishte bërë subjekt i hetimit nga Kundër-Korrupsioni, është më i përfoluri kohëve të fundit, Liburn Aliu. Ai u hetua pasi si Ministër i Infrastrukturës, kishte nënshkruar një memorandum me kolegjin ku ai punon, UBT.

Hetime pati edhe ndaj Luan Dalipit, shef i stafit të Kryeministrit Kurti.

Dalipi u bë subjekt i hetimit të kundër-korrupsionit për arsye se në deklarimin e pasurisë nuk e ka paraqitur pronësinë që mban, në tri biznese. Për këto biznese, vetë Dalipi pati deklaruar se janë biznese joaktive që shumë vite.

Asnjë nga këto biznese nuk janë aktive që shume vite. Gjithashtu, në ATK listohen si biznese joaktive”, kishte thënë Dalipi.

Hetimet kanë nisur pas raportimit të Nacionales, edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit sipas të gjitha gjasave, nuk e ka deklaruar një kompani të tij në Kundër-Korrupsion. Pas interesimit të gazetës, Agjencia njoftoi se kanë nisur hetimet për këtë çështje. E gjithë kjo, pas skandalit financiar në Slloveni, ku ishte përfshirë vetë Berishaj.

Ligji për Agjencinë Kundër-Korrupsionit

Kujtojmë se kjo Agjenci funksionin në bazë të ligjit i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës në vitin 2010.

Aty parashihen kompetencat e agjencionit ku qartë përcaktohet roli i këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit.

“Agjencia inicion dhe zhvillon procedurën e zbulimit dhe hetimit paraprak të korrupsionit dhe përcjell kallëzime penale për rastet e dyshimit për korrupsion në prokurorinë publike kompetente, nëse për të njëjtin rast nuk zhvillohet procedurë penale”, thuhet në ligj.

Në ligj gjithashtu përcaktohen rastet kur ky mekanizëm vihet në lëvizje, duke potencuar edhe bashkëpunimin ndërmjet organeve e personave, në mënyrë që dukuria e korrupsionit dhe veprave të tilla që ndërlidhen më të, të luftohen në mënyrë sa më efikase.

Në nenin 18, pika 1, kodifikohet ky lloj bashkëpunimi:

“Agjencia zhvillon procedurën e hetimit paraprak në rastin e dyshimit për korrupsion sipas: detyrës zyrtare, sipas informacioneve të pranuara nga personat fizikë apo juridikë.”

Duhet ta theksojmë faktin se kohëve të fundit agjencia është treguar mjaft bashkëpunuese dhe e ka zbatuar pikën 1 të nenit 18, duke iniciuar hetime/hetime paraprake, ndaj zyrtarëve publikë. Së paku dy nga to janë iniciuar nga Gazeta Nacionale.

Lajme të ngjashme