Çka përbën konflikt të interesit? Ligji është i qartë - NACIONALE

Çka përbën konflikt të interesit? Ligji është i qartë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një skandal që plasi pas publikimeve të përgjimeve nga gazeta Nacionale, në Ministrinë e Infrastrukturës e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu e në të cilën po dyshohet të jetë përfshirë këshilltari i tij më i “shkathët” siç e quan vetë Aliu Florent Ramqajn, tash u bë subjekt i anti-korrupsionit.

Agjencia anti-korrupsion do të hetojë Ramqajn, nën dyshimin për konflikt interesi, kur ai mori vendime të cilat ndikuan direkt ose tërthorazi në përfitimin e kompanisë në të cilën kishte punuar vetë Ramqaj, e me të cilët ka edhe lidhje të ngushtë familjare.

Pra ekziston relacioni nip-dajë.

Por, çka thotë Ligji për Konfliktin e Interesit?

E para që duhet ta themi është se tashmë për Florent Ramqajn ekziston dyshimi i bazuar për konflikt të interesit, dhe kjo sipas ligjit. Kjo pasi Agjencia anti-korrupsion inicon procedurë, vetëm kur ekziston dyshimi i bazuar për një gjë të tillë.

Konkretisht neni 22 pika 4, e parasheh momentin se kur kjo agjenci vihet në lëvizje: “Në rast të dyshimit të bazuar për ekzistimin e konfliktit të interesit, Agjencia inicion menjëherë procedurën për vërtetimin e ekzistencës së konfliktit të interesit dhe pasojat e tij.”

E gjithë kjo procedurë u hap pas lajmërimit dhe insistimit nga gazeta Nacionale, duke shfrytëzuar të njëjtin nen të të njëjtit ligj, ku shprehimisht thuhet: Procedura në Agjenci fillon: sipas detyrës zyrtare, me kërkesën e zyrtarit të lartë, me kërkesën e institucionit, në bazë të lajmërimit të ndonjë personi tjetër apo lajmërimit anonim.

Por a shkeli Ramqaj dispozita të këtij ligji? Gazeta Nacionale sjell disa nga nenet e ligjit, të cilat ju mund t’i vlerësoni vetë.

Neni 8 i këtij ligji flet për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit. Në këtë nen parashihen edhe situata kur zyrtari publik nuk është i bindur nëse ekziston ky konflikt apo jo. “Në rast se udhëheqësi apo institucioni udhëheqës nuk është i bindur për ekzistimin e konfliktit të interesit apo dyshon se edhe vetë ka ose mund të ketë konflikt të interesit, atëherë i drejtohet Agjencisë për marrje të vendimit për rastin.”

E më i kujdesshëm e më parandalues se kaq, ligji tregohet në nenin 5, kur flet për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarit, e që tregon qartë se duhet të shmanget konflikti i interesit edhe atëherë ku ai është vetëm i mundshëm apo në dukje: “Zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm, apo në dukje.”

Pra nëse Ramqaj është përfshirë në konflikt interesi, qoftë edhe vetëm të mundshëm ose në dukje, sipas ligjit, ai do të duhej që së paku ta lajmëronte eprorin e tij ose agjencinë anti-korrupsion, e cila do ta sqaronte pozicionin e tij dhe do të përpilonte një opinion, në mënyrë që ai të mundë ose jo të marrë vendime për kompaninë që udhëhiqet nga Halil Jahaj, pra daja i tij.

I gjithë ky dyshim vjen pas anulimit të një tenderi nga ministria ku punon Ramqaj, i cili ishte dhënë në Qeverinë Hoti, e në të cilën Kompania Alfa I që udhëhiqet nga të afërm të Ramqajt, kishte humbur.

U desh një pyetje që të niste një procedurë

Të pyetur nga Gazeta Nacionale nëse kishin ndërmarrë veprimet e duhura, nga Agjencia kundër Korrupsionit kanë dhënë këtë përgjigje:

“Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar informatën nga ana juaj dhe do ta trajtojë brenda kompetencave ligjore të AKK-së.”

Edhe pse jo sipas detyrës zyrtare por pas insistimit tonë, është për t’u përshëndetur nisja e procedurave për të adresuar çështjen, megjithëse informata ishte publike dhe e qasshme për më shumë se një javë.

Në anën tjetër, në Kallxo Përnime, drejtori i AKK-së e ka konfirmuar një lajm të tillë duke e pranuar se është kontaktuar nga gazeta Nacionale.

Ne sot kemi filluar procedurat për pretendimet e tilla, e kemi pasë një medium që na ka kontaktuar më herët, ndoshta dje, dhe ne kemi filluar menjëherë ta shqyrtojmë për elementet të cilat mund t’i trajtojmë ne.

Kujtojmë se deri më tash nuk ka pasur asnjë deklaratë nga subjekti i përgjimeve që dëgjohet duke kërkuar ryshfet, Idriz Shala, dhe në anën tjetër as nga Halil Jahaj që është pronari i kompanisë në fjalë.

Florent Ramqaj ka mohuar akuzat, por pa u marrë specifikisht me asnjërën prej tyre.

Në anën tjetër, ministri Liburn Aliu nuk e ka mohuar se Florent Ramqaj ka lidhje familjare me Halil Jahajn, e në anën tjetër nuk e ka mohuar as se ka punuar në njërën prej kompanive të tij.

Lajme të ngjashme