Liria ka emër, Vetëvendosje: Fjalët e djeshme nga pushteti që opozita thotë se po përulin UÇK-në
Gjatë ditës së djeshme, Kosova e festoi Ditën e Çlirimit, 12 Qershorin. Por, kjo festë ishte më e zbehtë se asnjëherë mes qytetarësh, ndërsa mes liderësh u nxit frika për një ndryshim të narrativës/historisë mbi luftën dhe lirinë. Opozita konsideron që pushteti po kërkon të anashkalojë UÇK-në kur bëhet fjala për lirinë. Por, cilat ishin fjalimet e djeshme?
Ishte shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila me anë të një postimi urues nuk përmendi askund në 167 fjalët e shkruara luftën e UÇK-së, apo thjesht UÇK-në.
Gërvallje
Ajo përmendi kontributin e madh të NATO-s, dhe për më tepër kujtoi edhe ata që humbën jetën duke thënë që përkujtimi për ta do të ishte “i përjetshëm”.

Më i ashpri në reagim kundër ministres së Punëve të Jashtme nuk ishte ndonjë akter opozitar, por një aktivist i shoqërisë civile me emrin Petrit Zogaj. Ai krahasoi Gërvallën me një moderatore lajmesh që ishte bërë simbol i regjimit, “Hajrije Spikericën”.
“Dallimi i kësaj gruaje me Hajrie Spikericën është që kjo e fundit ka qenë e detyruar që UÇK-në me e quajtë ”grupi terrorist,” dhe dallimi i dytë është që Hajria nuk ka thënë asnjëherë publiksiht që do të “dërgoja dëshmi kundër tyre””, u shpreh në një postim që mori shumë reagime, z. Zogaj.
Kujtojmë që në disa deklarime të mëparshme, Gërvalla ishte zotuar publikisht se do të dërgonte dosje kundër ish-liderëve të UÇK-së në Hagë. Më vonë, ajo ka mohuar se e ka bërë një gjë të tillë.
Sveçla: Liria ka emër: Vetëvendosje!
As ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e përmendi askund UÇK-në në postimin e tij me rastin e 23-vjetorit të çlirimit.

Ai lidh ditën e çlirimit me Vetëvendosjen, duke thënë se “Liria dhe vetëvendosja janë një, e para pa të dytën nuk ka kuptim.”
Efektivisht, kjo përmbys parullën e famshme “Liria ka emër: UÇK” duke e bërë “Liria ka emër: Vetëvendosje!”
Tomë Gashi: NATO dhe USA, ju na sollët lirinë
Mjaft shprehës në reagimin e tij ishte edhe analisti që përkrah vazhdimisht Vetëvendosjen, z. Tomë Gashi.

Derisa uron ditën e lirisë, ai falënderon USA-n (dmth, SHBA-të) dhe NATO-n duke u thënë të dyjave “Ju na sollët lirinë”.
Ishte gruaja e Nasim Haradinajt (Gashi ka qenë avokat i z. Haradinaj, që tashmë është dënuar me burgim në Hagë) e cila i reagoi duke shkruar “Faleminderit UÇK”, por duke ndjellë një replikë të zbehtë nga Gashi që i mbyll gojën me një fotografi të Haradinajt.
Shqipëria hesht, dhe më pas tregon kush duhet ta mbrojë UÇK-në
Aktivistët e zëshëm të Vetëvendosjes nga Shqipëria – Boiken Abazi, Elvis Hoxha e Hysamedin Feraj – qëndruan të heshtur duke mos uruar fare.
Duke parë reagimet e shumta për ligjërimin e pushtetit që konsiderohej si shpërfillës ndaj UÇK-së, ai u shpreh si vijon:
“UÇK-ja nuk mund të mbrohet nga ata që i vodhën, i keqpërdorën, i shkelën, ëndrrat e dëshmorëve.”
Edhe në përmendore ia huqin
Në një fjalim të bërë para disa vitesh, kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë “Këta, edhe në përmendore vjedhin!” Nën dritën e kësaj thënieje dhe të huqjeve të vazhdueshme në fjalime e në statuse, Nacionale prezantoi huqjen e radhës në përmendore me titullin “Edhe në përmendore ia huqin”.
%20(1).jpg)
Kësaj here, i ishte huqur pozita Sekretarit të Jashtëm britanik, tashmë të ndjerë, Robin Cook, në përmendoren në Bllacë.
Debati në lidhje me rëndësinë e UÇK-së po ndodh tash e sa kohë, por është përforcuar veçanërisht shumë së fundi me veteranët që po protestojnë ashpër për mos-përfshirjen e tyre në kuadër të rritjes së Pagës Minimale.
Protestën e tyre, Sadri Ramabaja – aktivist i VV-së – e ka konsideruar si “përpjekje të opozitës për të bërë puç”. Nuk dihet nëse z. Ramabaja është intervistuar nga Prokuroria në lidhje me një deklarim të tillë.
Opozita e vendit – me akterë të shoqërisë civile – pretendojnë që Qeveria Kurti II me qëllim po provon të minojë rolin e UÇK-së në histori, akuzë të cilën e ka mohuar z. Kurti por edhe eksponentë të tjerë të pushtetit. Ajo që duket e sigurt është se tensionet do të jenë të larta sa herë që të ketë festa që lidhen me lirinë apo pavarësinë e vendit.