Ligji për zgjedhjet: Opozita thotë se Kurti ka dështuar, por s'është koha për zgjedhje - NACIONALE

Ligji për zgjedhjet: Opozita thotë se Kurti ka dështuar, por s'është koha për zgjedhje

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Kurti vazhdon të qëndrojë stoik në vendimet e tij për kryetarët e katër komunave në veri, përkundër tensioneve dhe kërkesave e vërejtjeve të diplomatëve amerikanë dhe evropianë. Vendosmëria e Kurtit pavarësisht pasojave për vendin dhe ndryshimet në ligjin për zgjedhjet parlamenate, janë komentuar si mundësi për zgjedhje të reja në vend. Ja pse ka një përshtypje që Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja qëndrore!

Beyer

Deputeti gjerman i Bundestagut, Peter Beyer, i cili qëndroi në Prishtinë një javë me parë, tha të ketë dëgjuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po konsideron zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në mbarë vendin e jo vetëm në katër komunat veriore të banura me shumicë serbe.

Më lini të shtoj që sot më ra të dëgjoj diçka se Kryeministri Albin Kurti është duke i menduar zgjedhjet e jashtëzakonshme; pra, jo vetëm në veri por mbase në mbarë vendin. Kështu që, nuk e di, është diçka që dëgjova sot”, ka thënë Beyer për Klan Kosova.

Ligji i ri zgjedhor

Me 8 qershor do të mbahen dy seanca të reja në kuvendin e Kosovës, pika e parë do të jetë miratimi i Projektligjit për Reformën Zgjedhore, kështu ka bërë të ditur dje shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari.

Nacionale sot e ka parë projektligjin. Këto janë disa nga ndryshimet:

Tashmë mund të kandidojnë në zgjedhje personat e dënuar me kusht ose me gjobë për vepra penale. Nuk do të ketë heshtje zgjedhore dhe një person mund të votojë dhjetë kandidatë për deputet.

Ashtu si deklara e deputetit gjerman, Beyer, ndryshimet në ligjin zgjedhor kanë lënë shijen se jemi afër zgjedhjeve të reja.

Opozita

Nga opozita kosovare nuk e përjashtojne mundesinë e zgjedhjeve të reja parlamentare në vend, duke theksuar se qeveria Kurti e ka dëmtuar Kosovën, pasi ka lënduar raportet me partnerët nderkombëtarë, e posaçerisht me ShBA-të.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu tha kryeministri Kurti nuk mundet tani të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, zonja Deliu tha se provokimi i zgjedhjeve nga ana e kryeministrit Kurti është papërgjegjësi shtetërore.

Zgjedhjet që do të provokoheshin nga Kryeministri janë në njërën anë ikje e përgjegjësisë për të kryer detyrat shtetërore dhe në anën tjetër nuk janë në shërbim të stabilitetit që është jetik për momentin për aletatët tanë perëndimorë”, tha deputetja Deliu për gazetën Nacionale.

Tutje, ajo theksoi se Kurti duhet ta çojë mandatin e tij deri në fund, duke i treguar se çfarë është prioritet tani.

Ka marrë mandat të plotë për të qeverisur dhe zgjidhur problemet dhe jo të ikë. Momentalisht duhet koordinim me partnerët perëndimorë”, ka vazhduar ajo tutje.

Ndërsa, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami thotë se kryeministri Kurti ka qeverisur dobët.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, zonja Bajrami tha se nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve por se qeverisjen e Kurtit e shenojnë vetëm dështimet.

Tani Kurti ka hy në vitin e III-të të qeverisjes dhe nuk ka asnjë rezultat ta tregoj, këtë e kanë kuptuar të gjithë. Qeveria ka dështuar në ekonomi, ka dështuar në arsim, ka dështuar në drejtësi dhe dëmët më të mëdha i ka bërë në dialog dhe cenimin e marrëdhënieve diplomatike -me veprimet të pa menduara dhe amatoreske në Veri. Nuk e di nëse Kurti këto veprime po i bën për të shku në zgjedhje, por dëmet e shkaktuara nga ai për vendin nuk mund të justifikohen me asgjë”, tha ajo për gazetën Nacionale.

Tutje, zonja Bajrami tha se LDK është e gatshme për zgjedhjet e reja qysh tani.

Kurti mund ta çojë vendin në zgjedhje kur të dojë. LDK është gatshme sot për zgjedhje. Por Kurti duhet ta dijë se në fushatë do të përballet me zero premtimet e realizuara gjatë më shumë se dy viteve. Kurti nuk është viktimë, pavarësisht se përherë mundohet ta luajë këtë rol të tillë. Ai duhet të japë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara dhe kohën e humbur për vendin”, tha ajo.

Lajme të ngjashme