Ligji amerikan e përçan BE-në, shtatë shtete kundër ndarjes së fondeve të reja
Planet e Komisionit Evropian për të krijuar financim të ri të Bashkimit Evropian për industrinë e gjelbër janë duke u ballafaquar me shtim të kundërshtimeve në bllokun me 27 shtete, pasi shtatë vende e kundërshtuan haptazi këtë ide përmes një letre dërguar ekzekutivit të BE-së.
Letra, e cila është parë nga agjencia “Reuters”, është nënshkruar nga Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Austria, Irlanda, Estonia dhe Sllovakia dhe i është dërguar nënpresidentit të Komisionit Evropian që është përgjegjës për tregtinë, Valdis Dombrovskis.
Gjermania, Holanda dhe Belgjika, edhe pse nuk e kanë nënshkruar këtë letër, gjithashtu kundërshtojnë çfarëdo marrje të përbashkët të re të huasë nga BE-ja, duke e zgjeruar edhe më tej listën e shteteve që pritet të votojnë kundër planeve të tilla, kur udhëheqësit e vendeve të BE-së të takohen për t’i diskutuar ato më 9 dhe 10 shkurt.
Dhjetë shtetet që e kanë nënshkruar këtë letër, thonë se Bashkimi Evropian duhet t’i shfrytëzojë fondet që tashmë janë miratuar në vend të kërkimit të parave shtesë.
Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për konkurrencën e drejtë në bllokun me 27 vende, beson se fondet e reja nevojiten për t’i baraspeshuar aftësitë e shteteve të varfra e të pasura për t’i ndihmuar industritë e tyre të gjelbra kundër konkurrencës nga Kina dhe nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët e BE-së janë posaçërisht të brengosur se Akti për Zvogëlimin e Inflacionit i ShBA-së, me të cilin ofrohen 369 miliardë dollarë subvencione për kompanitë që prodhojnë automjete elektrike, bateri, turbina të erës ose me hidrogjen, do t’i joshë kompanitë e Bashkimit Evropian.
Lufta për ta mbajtur Evropën tërheqëse për industrinë e gjelbër është bërë edhe më e vështirë nga çmimet e energjisë, të cilat janë shumë më të larta në BE se në ShBA, dhe nga proceset shpesh të gjata të BE-së për ta siguruar lejen për investime në sektorin e industrisë së gjelbër.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha javën e kaluar se BE-ja do të përgatisë një ligj për t’i krijuar lehtësira industrisë së gjelbër dhe për ta përkrahur me ndihma shtetërore dhe një Fond Evropian të Sovranitetit, si dhe me një financim të menjëhershëm “që krijon zgjidhje” për t’i parandaluar largimin e bizneseve nga BE-ja e shkuarjen e tyre në ShBA.
Megjithatë, në letër, shtatë shtetet thanë se BE-ja së pari duhet t’i shpenzojë të hollat për ndarjen e të cilave tashmë është pajtuar përmes planit 800-miliardësh për rimëkëmbje pas pandemisë, i cili ofron grante dhe hua me interes të ulët.
“Ne duhet të sigurohemi që ekonomia mund ta thithë më mirë financimin e BE-së për të cilin tashmë ka marrëveshje”- thuhet në letrën e shtatë shteteve të BE-së. “Deri më tani, vetëm rreth 100 miliardë euro nga totali prej 390 miliardësh nga grantet e planit RRF janë shfrytëzuar”- thuhet më tej.

