Liberalët evropianë: Të ngrijnë negociatat me Serbinë për anëtarësimin e saj në BE
Nëntë eurodeputetë nga grupi liberal Renew Europe i kanë dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke kërkuar një ngrirje të përkohshme të negociatave me Serbinë dhe një ndalim të ndihmës financiare të BE-së deri në përputhjen e qëndrimit të saj me pozicionin e BE-së ndaj Rusisë.
Në mesin e atyre që kanë nënshkruar kërkesën janë Nikola Behr, nënkryetar i Parlamentit Evropian dhe një anëtar i Partisë Demokratike të Lirë të Gjermanisë në pushtet. Nënshkrues të tjerë përfshijnë Klemen Groselj i Sllovenisë, Ilhan Kyuchuk i Bullgarisë, Petras Austevicius nga Lituania, Urmas Paet i Estonisë dhe Bart Grotius i Holandës.
“Ne jemi plotësisht të bindur se Serbia po shfaq një lëvizje të rrezikshme drejt autoritarizmit që është në kundërshtim të plotë me aspiratën e saj paralele për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe kjo paqartësi ka arritur kulmin e saj me refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë në kundërpërgjigje të agresionit të saj ndaj Ukrainës. Prandaj i bëjmë thirrje Komisionit që t'u bëjë thirrje edhe një herë autoriteteve serbe që t'i bashkohen qëndrimit të përbashkët të BE-së për Rusinë. Nëse Serbia zgjedh të injorojë sërish këtë thirrje, ne kërkojmë ngrirjen e përkohshme të negociatave të anëtarësimit në BE me qeverinë serbe dhe ndalimin e mbështetjes financiare të BE-së ndaj këtij vendi, derisa ajo të angazhohet në veprime të besueshme, të prekshme dhe të qarta që synojnë në përafrimin e deklaratave, politikave, dhe vlerave të saj me ato të Bashkimit Evropian”, thuhet në letër.
Ligjvënësit evropianë janë shprehur se Serbia është e lirë të vendosë nëse do të ndjekë modelin e Putinit, por se veprimet e tilla do të kenë pasoja në aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Eurodeputetët vlerësojnë se Serbia nuk do të mund të konsiderohet si një bashkëbisedues i besueshëm.
“Serbia ka çdo të drejtë të ndjekë modelin e Putinit nëse dëshiron ta bëjë këtë, por duhet të jetë e qartë për qëllimet e saj dhe të mos shtiret se ka aspirata serioze për anëtarësim e saj në BE. Serbia është e lirë të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë, por nuk mund të vazhdojë të konsiderohet si një bashkëbisedues i besueshëm dhe nuk mund të vazhdojë të përfitojë nga ndihma financiare e para-anëtarësimit derisa ta ndajë mendjen”, përfundon letra.
Në letër po ashtu theksohet se Serbia, për fat të keq, ka rënë dukshëm edhe në fushat si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, liria e mediave dhe liria e shprehjes.
“Për fat të keq, Serbia gjithashtu ka pësuar regres të dukshëm në fusha të tilla si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, liria e medias, dhe liria e shprehjes. Është vërtet befasuese të shohësh se si pas vitesh mbështetjeje të para-anëtarësimit dhe negociatave intensive të anëtarësimit, ballinat e medias serbe, e cila është nën kontrollë të forte të partisë në pushtet SNS, në baza ditore lavdërojnë Putinin dhe përhapin lajme të rreme rreth BE-së dhe agresionit rus në Ukrainë”, thuhet në letër.

