Letra e tre krerëve institucionalë për Këshillin e Evropës: “Është letër e kapitullimit” - NACIONALE

Letra e tre krerëve institucionalë për Këshillin e Evropës: “Është letër e kapitullimit”

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Letra e zotimeve që krerët institucionalë të Kosovës ia kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, vazhdon të jetë temë e debateve në Kosovë. Zotimet që presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufa dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dhënë në atë letër po konsiderohet shumë të rënda për Kosovën

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se kjo letër është dokumenti më i rëndësishme i politikës së jashtme që është nënshkruar në këtë mandat.

Analisti Dukagjin Gorani ka thënë se letra është kapitull i Kosovës.

Krejt qeto sukseset e vogla, ndalimi i zgjedhjeve, ndalimi i referendumit, krejt qeto na çuan drejt një humbje të madhe. Ajo që jam tu pa unë është kjo: Fitore mbas fitore në proces të dialogut deri të një humbje e cila më së miri dokumentohet në letrën që e kanë nënshkruar prej Glauk Konjufcës e deri të Albin Kurti, drejtuar Dora Bakojanisë dhe Këshilli të Evropës, e cila është letër e kapitullimit”, ka thënë Gorani në emisionin “Pressnig”.

Ai ka vlerësuar se Osmani, Konjufca dhe Kurti në letër janë zotuar për të gjitha gjerat që më herët i kishin kundërshtuar.

Se aty tre udhëheqëset kryesor institucionalë të Kosovës zotohet dhe përkushtohen me i përmbush krejt gjerat, me i përmbyll krejt problemet e mbetura në emër të të cilave dhe në emër të kundërshtimit të të cilave ata kanë fituar zgjedhje. Pra, fitore mbas fitores deri të letra e fundit e Bakojanisit që është kapitullimi. Çështja është se a do të shkohet në zgjedhje para se kapitullimi të fillon të zbatohet, apo do të shkohet në zgjedhje duke e pranuar kapitullimin për duke mos zbatuar”, ka thënë Gorani.

Edhe analisti Visar Ymeri ka vlerësuar se kjo letër është dokumenti shumë i rëndësishëm.

Kjo letër është dokumenti më i rëndësishme i politikës së jashtme që është nënshkruar prej Kosovës në këtë Qeveria. Më i rëndësishmi”, ka thënë Ymeri në emisionin “Debat Plus”.

Ndërsa, analisti Burim Ramadani ka vlerësuar se me këtë letër kanë hyrë në fuqi obligimet e Kosovës në procesin e dialogut.

Letra e Vjosës, Albinit dhe Kurtit ma kujton 26 tetorit e vitit 2023. Një muaj e dy ditë pas sulmit të Banjskës, prej anës se Kosovës u pranu pako. Pra, plani franko-gjerman, plani i zbatimit dhe draft-statuti i Asociacionit. Nëse ju kujtohet kryeministri Kurti pat dal në media dhe patë thënë: Macroni, Sholzi, Meloni, Lajçaku dhe Borrllu me kanë thënë se situata është emergjente dhe duhet me pranu. Tash a ka hy në fuqi qajo pako apo jo? Hynë në fuqi me letrën e këtyre treve. Shihni letrën, ajo është hyrje në fuqi pa nënshkrimin e Serbisë”, është shprehur Ramadani.

Çfarë thuhet në letër?

Në shtojcën, e cila i është bashkangjitur letrës, listohet propozimet për çka Kosova zotohet se do t`i përmbushë pas anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Aty përmenden fushat për të cilat është zotuar Kosova. Secila fushë ka disa pika.

Në lidhje me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë, është renditur çështja e Marrëveshjes Bazike të Brukselit, ku përmendet me urgjencë themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ta sigurojmë zbatimin efikas të kornizës ligjore për mbrojtjen e pakicave kombëtare; Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme; Ta adresojmë urgjentisht mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse e të bashkërenduar për çështjet dhe të drejtat e pakicave. Një qasje e tillë duhet të zhvillohet dhe të zbatohet në bashkëpunim me të përfshirët dhe në mënyra që i pasqyrojnë nevojat specifike të komuniteteve të ndryshme”, thuhet në shtojcë, duke u përmendur edhe burimet adekuate për Zyrën e Komisionarit të Gjuhëve.

Të ndajmë burime të mjaftueshme për ta zbatuar në mënyrë efikase legjislacionin për përdorimin e gjuhëve dhe t’i sigurojmë rrënjosjen ligjore, pavarësinë dhe ofrimin e burimeve adekuate për Zyrën e Komisionarit të Gjuhëve; T’i shtojmë masat për t’i mbështetur integrimin socio-ekonomik dhe pjesëmarrjen politike të personave që u përkasin komuniteteve jo-shumicë; Të ndërmarrim masa të dukshme dhe domethënëse për ta promovuar pajtimin mes komuniteteve të Kosovës, përfshirë diskursin politik; të zbatojmë strategji konkrete për dialog mes komuniteteve dhe për hapësira e aktivitete të orientuara nga pajtimi, sidomos në arsim, me qëllim që të hapet rruga për zhvillim gjithëpërfshirës shoqëror e besim; Ta promovojmë mësimdhënien e gjuhëve jo-shumicë në shkolla; Ta sigurojmë qasjen efikase në shkollim dhe tekste të cilësisë së mirë në shkollimin fillor dhe të mesëm për të gjithë fëmijët, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që u përkasin komuniteteve jo-shumicë dhe fëmijët nga grupet e pavaforizuara” është thënë në shtojcë.

Ndërsa, të lista e zotimeve që ka të bëjë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit, liderët institucionalë zotohen që t`i ndalin kritikat ndaj gjyqësorit, që në këtë legjislaturë kanë qenë të shpeshta.

Gjithashtu, aty përmendet edhe çështja e shpronësimeve në veri.

Në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit: Të respektohet plotësisht pavarësia e gjyqësorit përfshirë përmbajtjen nga kritikat e tepruara që e minojnë besimin në gjyqësor; Të vazhdohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; Të sigurohemi që shpronësimet të kryhen sipas respektimit më të rreptë të ligjit dhe se çfarëdo legjislacioni i ardhshëm në këtë fushë të jetë në përputhje të plotë me Planin e Ahtisarit, përfshirë fushën e mbrojtjes së pronave të Kishës Ortodokse Serbe; të amendamentohet sipas rrethanave draft-ligji për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, sa më herët që është e mundshme”, thuhet ndër të tjera në shtojcën që Osmani, Konjufca dhe Kurti ia kanë bashkangjitur letrës së tyre për Dora Bakojanis.

Më tej, në shtojcë përfshihet edhe përmbajtja e Kosovës nga përdorimi i policisë speciale në veri të vendit.

Të merren të gjitha masat për de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe të përmbahemi nga vendimet që mund t’i prekin të drejtat dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb dhe që çojnë në përkeqësim të mëtejmë të situatës së sigurisë; Të merren masa urgjente për ta promovuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në forcën policore, gjyqësor dhe prokurori në veri të Kosovës; Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore, të sigurohemi se ato dislokohen vetën në rast nevoje, dhe ta shtojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhet në shtojcë.

Lajme të ngjashme