Lëshimi për qarkullim i urës së Badocit pa testim: Policia nis hetimet, intervistohet një person
Në fillim të janarit, Qeveria Kurti krenohej për lëshimin e në qarkullim të urës së Badocit. Ndonëse nuk ishte realizuar testimin paraprak për qëndrueshmërinë e urës, zyrtarët e pushtetit deklaronin se ura është stabile.
Pas dy jave, duket se lëshimi i kësaj ure për qarkullim nuk është bërë në përputhje me procedurat e kërkuara ligjore.
Policia e Kosovës sot ka njoftuar se ka nisur hetimet për lëshimin e kësaj ure në qarkullim.
Një gjë e tillë, sipas policisë, është bërë pas autorizimit të gjykatës përkatëse.
Në raportin 24 orësh të policisë është bërë me dije se për këtë çështje është intervistuar një person.
“Badovc, Magjistralja Prishtinë-Gjilan / 31.12.2024 – 10:00. Policia e Kosovës pas pranimit të autorizimit nga gjykata dhe pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore ka konfirmuar se një urë është lëshuar për qarkullim pa përfunduar testimi final. Në koordinim me prokurorin është intervistuar një i dyshuar mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, është thënë në raporton 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Duke injoruar të gjitha procedurat e lëshimit për qarkullim të kësaj ure, qeveria kishte njoftuar se ura ishte lëshuar.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, stabilitetin e kësaj ure e kishte vlerësuar me anë të syrit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Durmishi ka shkruar se stabilitetin e urës në fjalë do ta dëshmojnë edhe testimet formale.
“Ura e Badocit është stabile, Dje dhe sot po mundohen të ngjallin pasiguri te qytetarët me rastin e hapjes së urës së Badocit. Ura e Badocit është projektuar e ndërtuar me standardet më te larta të projektimit e ndërtimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale, përfshirë këtu atestet paraprake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj. Prandaj, me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre ditëve aty kanë kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër”, ka shkruar Durmishi.
Qeveria Kurti krejt ndryshe kishte vepruar kur gjatë verës tentonte të hapte urën e lumit Ibër.
Derisa ura e lumit Ibër ishte testuar në mënyra të ndryshme, ndonëse dihej që nuk do të hapej, ura e Badovcit është lëshuar në funksion pa u testuar fare.
Për testimin e urës së parë ishin përdorur metodat profesionale, kurse stabilitetin e urës së Badovcit zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e ka vlerësuar me anë të syrit.