"Nuk kam nevojë për avokat": Armend Muja provon ta mbrojë ministren Rizvanolli nga... Pal Lekaj
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, janë përplasur gjatë raportimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para Komisionit Parlamentar për Ekonomi.
Në Komision, ministrja Rizvanolli ishte duke raportuar për punën e saj në këtë dikaster, mirëpo deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, kishte ndërhyrë disa herë kur deputetët e opozitës i bënin pyetje ministres, raporton EO.
Në pyetjen se ku janë drejtuar mjetet për ndërmarrjet publike, Rizvanolli tha se janë dërguar në vendin e duhur, për dallim nga herët e tjera.
“Sa i përket performancës, më tregoni një e unë ju tregoj shumë që kanë pasur përmirësime. Ne edhe nëse kemi dhënë e kur kemi dhënë, kemi shkuar në vendin e duhur dhe kemi dhënë për t’i përkrahur ndërmarrjet, për dallim prej herëve tjera,”- tha Rizvanolli, teksa ndërhyri deputeti i AAK-së, Pal Lekaj duke e pyetur se në çfarë adrese i kanë dhënë këto mjete.
Lekaj ishte insistues në pyetjen e tij se ku janë dërguar mjetet për ndërmarrjet publike saktësisht, me këtë rast, ndërhyri Muja, duke i thënë se në të kaluarën janë shpërndarë mjete pa procedura.
Ndërhyrjet e vazhdueshme të Mujës, më sa duket kanë acaruar deputetin e AAK-së.
“Armend Muja nëse jeni avokat i ministres, atëherë a ki ndonjë autorizim. Unë po e pyes këtë(Rizvanollin).''-tha Lekaj.
Ndërsa Rizvanolli tha se nuk ka nevojë për avokat.