“Le Albulenën, rahat është”: Dy përkrahësit e VV-së komentojnë vendimin e Kushtetueses, Ramabaja e sulmon ashpër
Tomë Gashi e Sadri Ramabaja, njëri avokat, tjetri analist e aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, komentuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli si anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial. Ky i fundit, s’i kurseu as akuzat e sulmet. Çka thanë ata?
Tomë Gashi, avokati i njohur që është përkrahës i VV-së, por pretendon se nuk është anëtar i kësaj partie, që në fillim të paraqitjes së tij në “Pressing”, përmendi ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ai tentoi ta sulmojë opozitën, duke thënë si vijon: ““Unë i përgëzoj këta, me thënë, juristët, avokatët e PDK-së, kishte qenë njëjtë, kisha qenë i lumtur nëse të njëjtën gjë ta kishin bërë me tre gusht të vitit 2015, ta dërgonin Ligjin për Gjykatën Speciale".
Gashi theksoi se ky ligj ka “një milion shkelje kushtetuese”, por këtu, ndërhyri gazetari duke i thënë si vijon: “Ke mujt me e çu ti, në emër të VV-së”.
Diku kah fundi i emisionit, ai pati një përplasje edhe me avokatin Faton Fetahu i cili deshi t’i shtrojë disa pyetje për ministren Albulena Haxhiu.
“Po le Albulenën, se rahat është Albulena.” – u përgjigj Gashi.
Ramabaja sulmon Gjykatën Kushtetuese
Analisti që është edhe aktivist i partisë në pushtet, dukej mjaft i mllefosur me vendimin e këtij institucioni të lartë, duke pretenduar se është “shndërruar në kështjellë të PDK-së”.
“Unë kam një përshtypje që Gjykata Kushtetuese aktualisht është shndërruar në një kështjellë të PDK-së. Krejt aktivitetin e saj e bën në emër të pengimit të formës së drejtësisë.” – ka thënë ai.
Ramabaja tutje pretendoi se se sistemi i drejtësisë është në duar të “pronto-mafisë”.
“Ky vendim i Kushtetueses do të kthehet në boomerang, sepse të gjitha këto vrejtje që kanë dhënë, po të dëgjonin këshilltar e mia si politolog do t’i plotësoja një nga një, çfarë do të bëjë pastaj. Thjesht ,ekmi blerë kohë për t’i lënë KPK-në dhe drejtësinë ne duar të pronto-mafisë.” – tha ai.
Sistemin e drejtësisë, ai tutje e konsideroi si “të dështuar, të kalbur dhe të kapur”.
Vendimi i Kushtetueses, edhe ministrja e konsideroi “absurd”
Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim të publikuar të premten ka konfirmuar se e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial, kërkesën për vlerësimin e së cilit e kishin bërë dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Aktgjykimi sqaron që kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, Gjykata vlerëson që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.” – thuhet ndër të tjera në Aktgjykim.
Ndërkohë, ministrja Haxhiu në një konferencë për media e kishte quajtur “absurd” vendimin e Kushtetueses.
“Është absurde se si Kushtetuesja e gjeti si ndikim të politikës, që në KPK të jetë një anëtar nga Avokati i Popullit, derisa Komisioni i Venecias këtë e ka konsideruar në raport me standardet ndërkombëtare. Pse Gjykatës Kushteutese ju deshën 9 muaj për të nxjerrë këtë Aktgjykim. Pse na morën 9 muaj? Pse iu nevoitën kaq shumë kohë?.” – kishte thënë ajo.
Në lidhje me këto deklarata, sot ka reaguar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka përmendur se ekziston edhe Rekomandimi i Këshillit të Evropës, se pushteti ekzekutiv nuk mund të “minojë pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor”.
“Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar.” – thuhet nga ky institucion.
Veç kësaj, deputetja ka bërë të ditur se “ia ka thënë këto” ministres Haxhiu, “privatisht e publikisht”.
Madje, në shkrimi ne saj ao ka thënë se ministrja i kishte kthyer në “personale” këto kritika.
“Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata.” – ka thënë ajo.


