LDK zyrtarisht i lëshon zërin akrepave të kthimit të Osmanit, sepse “nuk jemi më të vetëmjaftueshëm”
Besian Mustafa, lajmëtari i parë zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i lëshoi dje zërin akrepave të kthimit të Vjosa Osmanit në parti.
“Tik-Tak” e me një figurë buzëqeshjeje, Mustafa shpërndau e ktheu një fotografi të veten në shoqërinë e Osmanit, të kohës së fushatës së 2019-ës kur ajo ishte e para e listës së LDK-së.
Këshilltarja e Osmanit, Egnesa Vitia, menjëherë i reagoi me një ‘zemër’ në postim duke e dhënë si ‘verifikim’ shtesë çështjes.
Kjo mu disa orë pasi drejtuesi i partisë, Lumir Abdixhiku, propozoi Osmanin “nëse VV i ka 66 vota për të”, si presidente të vendit.
Vjosa Osmani në (ose me) LDK veçse përflitet për “punë të kryer,” ndonëse pa modalitet të përcaktuar përfundimisht: kthim klasik më vete, apo gradual përmes një bashkëngjitje me listë të vetën.
Kjo gjë pritet të përcaktohet pas 28 prillit, si afat të fundit kushtetues për çështjen e presidentit, ku vendi mund të shkojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Besian Mustafa i LDK-së i kundëreagoi thirrjes së Kurtit që opozita “të propozojë tri emra” jashtëpartiakë “deri të dielën mbrëma”, duke i thënë që ta bëjë me PDK-në.
Dhe se LDK “për shkak të afateve kushtetuese, i pres deri nesër në mesnatë,” përveç asaj që LDK ka propozuar Vjosa Osmanin.
Arben Gashi, zyrtar i lartë në LDK pyetur për kthimin e Vjosa Osmanit nga gazetari Astrit Gashi, tha se dy-tri parë zgjedhjet e fundit e kanë dëshmuar që kjo pari, kështu siç është, “nuk është më e vetëmjaftueshme.”
“Ajo çka po shihet në LDK, në këto dy-tri parë zgjedhjet e fundit, LDK-ja nuk është më e vetëmjaftueshme. Dhe nuk po mundet me marrë më rezultatin që i duhet dhe me qenë protagonist kryesor politik në Kosovë,” tha ai.
“Dhe i duhet me kërku përtej, dhe ky kërkim përtej çon edhe te ish-anëtarët e partisë.”
Pyetur për këtë modalitet të kthimit të Osmanit, Gashi beson se duhet “gradualisht.”
“Më e kuptueshme është rikthimi gradual, dhe ndoshta bjen më shumë bagazh politik e të votave, dhe pastaj nëpërmjet kthimit gradual që do të thotë se me një platformë të veten i bashkohet LDK-së, natyralizimi brenda LDK-së është më i kollajshëm dhe arrihet marrëveshja më e lehtë. Sepse rikthimi individual, mbase shumë njerëz nuk nihen pjesë e platformës dhe problematke. Mendoj se duhte Vjosa të kthehet me ekip, nëse e ka.”
“LDK është unike...respekton vendimin e shumicës (së vet).”
Nënkryetarja e këtij subjekti, Doarsa Kica-Xhelili, ditë më parë në “Debat Plus” konfirmoi që bisedimet veçse kanë kaluar në rrafshe domethënëse por “po e mbylli me kaq,” tha ajo, duke e lënë që ende “nuk ka asgjë zyrtare.”
Lumir Abdixhiku, drejtuesi i kësaj partie, po ashtu ditë më parë e konfirmoi që “do të punoj” deri, siç tha ai, “në momentin e fundit”, kur u pyet nga gazetarë për rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK dhe se deri ku ka avancuar ky rikthim.
“Përafrimi do të ishte lajmi i mirë, edhe për Kosovën edhe për LDK-në, dhe është qëllim i imi. Dhe do të punoj, për këtë qëllim deri në ditën e fundit. Natyrisht që takohemi me Vjosën. Jemi miq, dhe njihemi mirë.
Nuk kemi kushte, bashkimi nuk kërkon kushte, por kërkon afrim, koordinim të mbarë, shiqim drejt të ardhmes. LDK është unike (për kthimin e Vjosa Osmanit. Jemi demokratikë, dhe respektojmë vendimin e shumicës,” tha Abdixhiku për gazetarë.
Kica-Xhelili ndonëse nuk e jepte për të mirëqenë diskutimin për punë të kryer për kthimin e Osmanit në LDK, u shpreh pozitivisht për kthimin e saj, në dritën e asaj që LDK e jep “për ringritje...dhe ribashkim të së djathtës.”
“Racionalisht mendoj që është e domosdoshme që LDK-ja të ringritët duke konsideruar edhe kthimin eventual të të gjitha figurave të LDK-së, të cilat kanë vizon të përbashkët ende me ne. Për fshirë këdo… natyrisht edhe Vjosa Osmanin,” tha ajo.
Por, shumë më e rezervuar dhe dyshuese ishte shprehur Hykmete Bajrami, zyrtarja e lartë e LDK-së, Hykmete Bajrami. Për këto pesë vite, Osmani, rikujtonte Bajrami, kishte qenë pjesë e pushtetit të Vetëvendosjes.
“Unë nuk jam njëra prej atyre që kthimin e znj. Osmani e shoh krejt të natyrshëm dhe shumë të lehtë, për shkak të krejt gjanave që i shpjegum deri më tani,” pati thënë ajo ditë më parë në “Pressing” të T7.
“Në atë kohë, elektorati jonë, besimtarët tanë, janë hidhëru shumë me zonjën Osmani. Atyre hidhërimi s’ju ka kalu edhe sot. Unë besoj që z. Abdixhiku edhe strukturat vendimmarrëse të LDK-së duhet me e bë një analizë. Me e pa se si do të jetë pritja e znj. Osmani. Të pyesin, të bëjnë matje, të dalin në terren dhe të shohin se çfarë net-efekti ka me pas sjellja e saj në LDK,” shtonte ajo.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, para një muaji në një intervistë për Nacionalen pati kritikuar Vjosa Osmanin dhe relacionin e saj me pushtetin e Albin Kurtit.
Për Hotin s’donte interpretim ndryshe që shefja e shtetit për 5 vite i qëndroi besnike shefit të qeverisë, duke mos e kundërshtuar për asgjë.
Hoti ka thënë se vet Osmani e ka konfirmuar se ka qenë në agjendën politike të Kurtit.
“Unë e njoh politikisht se si vepron, unë shpresoj që me deklarimet e fundit e kanë parë të gjithë qytetarët modelin politik që ajo i ka ofruar vendit. Në intervistë, ajo tha që i ka qëndruar besnike në gjithçka që ka kërkuar Kurti, ia ka dhënë edhe datën e zgjedhjeve.
Dhe ky në fund nuk e ka propozua. Është shpërfaqje e një karakteri politik që nuk i duhet vendit. Ajo ka vërtetuar se ka qenë në shkelje kushtetuese gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar në atë zyrë. Sepse Kushtetuta kërkon mbikëqyrje të rendit kushtetuese”, ka thënë Hoti.
Ai bënte me dije se Osmani i ka konfirmuar dyshimet e opozitës.
“Me këto veprime kjo e ka bërë të qartë që ka qenë në shërbim të agjendës politike të Kurtit. Në këtë e kemi thënë gjatë gjithë kohës dhe tani ajo e vërtetoi me gojë të vet këtë çështje”, është shprehur Osmani.