LDK në konferencë për media: Prokuroria ta hetojë falsifikimin e raportit të Auditimit me ndërhyrje nga Qeveria
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media mbrëmjen e së premtes, për atë që po cilësohet si falsifikim i raporteve, me ndërhyrje të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Zyrtari i kësaj partie, Berat Rukiqi duke folur para gazetarëve në lidhje me ndryshimin e raportit ku thuhej se pushteti ka harxhuar 31 milionë euro në karburant, tha se ky është një rast i paprecedentë që nuk ka ndodhur më parë.
“Jemi në këtë konferencë në orët e vona për një rast të paprecedentë që ka ndodhë, një rast i rëndë i ndërhyrjes institucionale, Qeverisë së Kosovës në institucione të pavarura, në këtë rast te raportet e Zyrës Kombëtare e Auditimit. E thashë që është një rast i paprecedentë për shkak se një të tillë nuk e kemi parë asnjëherë në demokracinë modern të Kosovës, dhe për më shumë, nuk është vetëm ndërhyrje në numra, por falsifikim i raporteve zyrtare që kanë qenë publike nga gushti i këtij viti.” – u shpreh Rukiqi, transmeton Nacionale.
Tutje, ai ka thënë se Qeveria ka shpenzuar trefish më shumë se sa mesatarja në naftë dhe karburant:
“Bëhet fjalë për raportin zyrtar të auditimit të financave publike, këtë punë që duhej të kryhej në mënyrë të pavarur nga Zyra e Auditorit, dhe si e tillë është dashur të qëndrojë. Ndërhyrja e ministrit të Financave, i cili pas humbjes së argumenteve me nënkryetaren e LDK-së, Hykmete Bajrami, ndërhynë dhe pastaj ZKA e falsifikon raportin, në rastin në fjalë kemi të bëjmë me çështjen e shpenzimeve për naftë. Një Qeveri e cila shfrytëzon në naftë dhe karburante të tjera 31 milionë euro, që është trefish më shumë se sa mesatarja që ka qenë para ardhjes së kësaj qeverie. Sigurisht, duke parë këtë krim ata sot ndërhynë në mnyrën më të paimagjinueshme, por njëkohësisht, vetëm ashtu siç dijnë të bëjnë ata me manipulime, propagandë dhe falsifikime”.
Në fund, ai kërkoi nga Prokuroria që ta hetojë rastin në fjalë.
“LDK e dënon fuqishëm këtë akt të falsifikimit, dhe i bën thirrje organeve hetuese, përkatësisht prokurorirsë që ta hetojë sa më shpejt këtë krim të rëndë, një falsifikim të tillë.
Sa i përket pjesës së veprimeve të tjera, LDK do të angazhohet me gjithë kapacitetin edhe brenda Parlamentit që të zbardhet ky rast i rëndë i falsifikimit dhe ndërhyrjes së Qeverisë në institucionet e pavarura.” – tha Rukiqi.
Zyra Kombëtare e Audimit, ka ndryshuar Raportin Kombëtar të Auditimit, dy muaj pas publikimit në faqen zyrtare i cili kishte gjetur mbi 31 milionë euro shpenzime të Qeverisë në karburante.
Në emisionin Pressing, deputetja Hykmete Bajrami, citoi raportin zytar të Zyrës Kombëtare të Audimit, referuar faqes 42 të Raportit, i cili tregonte se Qeveria ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante.
“Më lejoni të ju them këtë, në faqen 42 të Raportit të Zyres Kombëtare të Auditimit. Furnizimet mjekësorë janë 51 milionë, në vitin 2023. Shpenzimet e karburantit, 31 milionë. 31 milionë të krejt qeverisë.” – tha Bajrami në Pressing.
Më pas, ministri Hekuran Murati reagoi duke e quajtur këtë si ‘lajm të rremë’, por që në fakt, në paragrafin e fundit të reagmit të tij thotë se ‘shpenzimet mund të jenë shumat për ngrohje, dru zjarri’.
Më shumë detaje në tekstin: E frikshme: Si u ndryshua Raporti i Auditimit për t’ia ulur Qeverisë shpenzimet në karburante