Ursula von der Leyen anulon takimin me kryeministrin serb, pasi ai u takua me një ministër rus
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lyen, raportohet se ka anuluar takimin e planifikuar me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.
“REL” raporton se kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i KE-së, Eric Mames, me arsyen se Vuçeviq paraprakisht të premten u takua me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Sipas qeverisë serbe, ata biseduan për “forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve”.
Reshetnikov është në mesin e zyrtarëve nga Moska që është nën sanksione perëndimore për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, von der Leyen të shtunën nga ora 11:15 do të pritet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ajo do të zhvillojë takim edhe me presidenten Vjosa Osmani.