Presidentja Osmani lirohet nga spitali, vazhdon të kryejë detyrat nga banesa e saj - NACIONALE

Presidentja Osmani lirohet nga spitali, vazhdon të kryejë detyrat nga banesa e saj

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është liruar nga spitali pas intervenimit kirurgjik (heqjes së tëmthit) që pati të martën.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka konfirmuar për gazetën Nacionale se ajo është në gjendje të mirë shëndetësore.

Veç kësaj, ai bëri të ditur se presidentja po vazhdon të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë nga banesa e saj.

“Presidentja Osmani me rekomandimin e mjekëve, sonte është liru nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Ajo po e vazhdon terapinë në banesën e saj prej nga po i kryen detyrat dhe përgjegjësitë e presidentes”, ka thënë Kupina.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme Osmani mësohet se ka marrë disa vendime, ani pse ndodhej ende në spital.

Nacionale raportoi të martën mbrëma ekskluzivisht se presidentja e vendit është shtrirë në spitalin “Aloka”, ku ka kryer një ndërhyrje kirurgjike.

Ekipi i Nacionales qëndroi në oborrin e këtij spitali, ku ishin të parkuara tri vetura zyrtare, ndërsa edhe mbrojtja e afërt shihej aty.

Fillimisht, biseduam me drejtorin e spitalit “Aloka”, z.Halit Maloku, të cilin e kishte nervozuar pyetja jonë, duke u arsyetuar me pyetjen “A e dini sa është ora?”.

"A mundeni me na konfirmoi nëse Osmani është e shtrirë aty", vijoi pyetja e gazetarit, kurse Maloku s'e mohoi, duke u përgjigjur: Natën e mirë.

Pas raportimeve të Nacionales, presidenca afër mesnatës doli me një komunikatë për media, ku konfirmoi se presidentja është shtrirë në spital dhe se kompetencat e përgjegjësitë e presidentit, i ishin bartut kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

“Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Sipas komunikatës gjithnjë, nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’u kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamentale për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë”, thuhej mes tjerash në këtë njoftim.

Pse në privat?

Presidentja Osmani mori kritika të shumta pasi zgjodhi një spital privat për të kryer operimin, por këshilltari i saj, z.Bekim Kupina i tha të mërkurën mediumit Kallxo.com, se kjo ka ndodhur pasi që axha i saj punon aty.

Eshref Osmani, siç u tha nga këshilltari, ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të presidentes dhe ka asistuar edhe gjatë ndërhyrjes së saj kirurgjike.

“Arsyeja pse Presidentja Osmani është operuar në spitalin “Aloka” është ngase axha i Presidentes, kirurgu dr. Eshref Osmani është i angazhuar në këtë spital dhe ka qenë në përcjellje të gjendjes shëndetësore të Presidentes qe një kohë të gjatë. I njëjti ka asistuar gjatë ndërhyrjes kirurgjike. Dr. Osmani deri në pensionim ka punuar në QKUK, dhe ka një përvojë kirurgjike mbi 40 vjeçare. I njëjti e ka përcjellë me vite të tëra gjendjen shëndetësore të Presidentes, dhe për rrjedhojë nën këshillimin dhe mbikëqyrjen mjekësore të Dr. Osmanit është realizuar intervenimi kirurgjik në spitalin “Aloka”, meqë për shkak të pensionimit ai nuk punon më në QKUK. Ndërhyrja kirurgjike është realizuar në institucion shëndetësor të licencuar, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe nga mjekët dhe stafi ndihmës vendor”, ka thënë Kupina për Kallxo.com.

Reagimi i kirurgëve të QKUK-së

Kolegjiumi i Kirurgëve të Qendrës Klinike, Universitare të Kosovës reagoi për operacionin e presidentes, duke thënë se “janë të fyer” nga zgjedhja e saj.

Injorimi dhe nënçmimi që presidentja ia ka bërë kolegjiumit të kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilin udhëheq, janë të papranueshme për të gjithë”, thuhej në letrën e Kolegjiumit të Kirurgëve.

Kirurgët treguan se procedura, pra intervenimi kirurgjik që Osmani e ka kryer në "Aloka", kryhet në QKUK që nga 12 nëntori i vitit 1999. Suksesi i këtij intervenimi në QKUK thuhet se është 99.9 % i sigurtë.

Duke i dëshiruar shëndet të plotë presidentes znj. Vjosa Osmani, urojmë që raste të tilla të mos përsëriten kur institucionet zyrtare anashkalojnë institucionet shëndetësore publike”- thuhet tutje në njoftim.

Përmes një intervenimi të thjeshtë mund ta kryejnë heqjen e tëmthit, i njohur ndryshe si heqja e lidhëzës. Ky lloj intervenimi kryhet me laparaskop në Klinikën Abdominale dhe pa pasur nevojë që të bëhet hapja e abdomenit.

Lajme të ngjashme