Lajçaku takohet sot me liderët e partive opozitare: A do t'u prezantohet atyre draft-statuti i Asociacionit?
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog Mirosllav Lajçak po qëndron në Kosovës. Pas takimit që pati me zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi të hënën mbrëma, Lajçak të martën do të takohet në Prishtinë me liderët e partive opozitare. Nuk dihet nëse në këtë takim Lajçak do t’i prezantojë opozitës draft-statutin e Asociacionit.
I dërguar i BE-së, Mirosllav Lajçak me fillim nga ora 10:00 pritet të takohet me liderët e partive opozitare në vend.
Takimi do të mbahet në zyret e BE-së në Kosovë.
Në ndërkohë, Lajçak ka folur për takimin që ka pasur me zv.kryeministrin njëherit edhe kryenegociatorin e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.
Lajçak ka thënë se me Bislimin janë pajtuar për hapat e radhës.
“Jam takuar me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të vazhduar bisedimet për takimin e fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Po ashtu jemi pajtuar për hapat e radhës.” – ka shkruar Lajçak në rrjetin social “X” (ish-Twitter).
Por draftin e Asociacionit që po komentohet me të madhe ende nuk e kanë parë liderët e opozitës.
Ata gjatë seancës së javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës ku raportoi kryeministri Kurti, kritikuan atë dhe Qeverinë për mungesën e informacionave se çfarë drafti ka pranuara Kosova.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë kësaj seance ka kritikuar Kurtin që nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë draft.
Tutje, ai ka thënë se me pranimin e draftit, Kurti ka pranuar që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
“Ta kanë sjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bashkësinë, ‘Zajednicën’, dhe e ke pranuar. A mund të na tregosh çka ke bërë ti aty nëse nuk e ke pranuar. Së pari, kur ke thënë, eja po e nënshkruajmë, ke bërë një gabim që një amator nuk është dashur ta bëje. Ti thuash botës jam i gatshëm të nënshkruaj me Vuçiqin draftin e Asociacionit për Kosovën, që rregullon Kosovën brenda, është jo banale, është anormale, është të pranosh që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Të nënshkruash draftin e Asociacionit që duhet të miratohet nga Qeveria që ju drejtoni, e të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese.” – ka thënë Krasnqi të premtën më 3 nëntor në Kuvend.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ishte shprehur kritik ndaj qasjes së Kurtit.
“Tani unë s’them se Asociacioni Kushtetues s’duhej bërë. Përkundrazi, them që keni bërë mirë që nga pozicioni i juaj refuzues, keni arritur në atë pranues; nëse gjithmonë bëhet fjalë për Asociacion Kushtetues e jo autonomi. Këtë ende nuk e dimë, dhe për të kuptuar këtë duhet parë dokumenti.” – kishte deklaruar ai.
Edhe shefi i Grupit Parlametar të AAK-së, Besnik Tahiri, kishte thënë se qasja e Kurtit në raport me dialogun ka qenë eksperimenatale.
Tahiri kishte kërkuar nga Kurti që t’i njoftojë për draft-statutin dhe jo deputetët të informohen nga mediet.
“E gjithë qasja e tij, prej ditës së parë deri në fund me dialogun ka qenë eksperimentale, llogaria dhe përgjegjësia bie te ju, në mënyrë që vendin tonë në këto rrethana jo të lehta ta shtynë përpara në dy tema që janë synime të AAK-së. E para ka të bëjë me anëtarësimin në NATO,e dyta që me eksperimentimet tuaja që i ke bërë edhe në veri, të kesh kujdes mos ta rrezikosh sovranitetin dhe rregullin kushtetues të Kosovës.” – pati deklaruar ai.
Ndërkohë, Kurti është treguar i kujdesshëm ndaj partisë së tij, pasi sipas shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ky grup e ka parë draftin e Asociacionit.





