“A je serbofil?; O Albin, o trim”: Opozita e kritikon ashpër Kurtin për Asociacionin
Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon përplasja mes pushtetit dhe opozitës rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas raportimit të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se draft-statuti nuk është “Zajednicë”, kanë reaguar liderët e opozitës. Çka tha opozita?
I pari që e mori fjalën pas Kurtit, ishte Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, i cili i tha Kurtit se e ka pranuar Asociacionin, të cilin dikur e kritikonte shumë e ashpër.
“Lej ato frazat pa nënshkrim, s’ka pranim, ka zbatim. O Albin, o trim, si me nënshkrim, si pa nënshkrim, ti ke bo pranim, kjo po shihet. Tash kë ke dal me mashtru ti? Këta (deputetët e VV v.j.)? Këta i mashtron lehtë, por neve nuk mundesh me na mashtru” – tha Krasniqi.
Ndërsa Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, vlerësoi se kryeministri Kurti nuk ka ditur ta menaxhon dialogun me Serbinë.
“Po themi po ashtu se përfundimi në një situatë ku ne jemi bërë pjesë e një marrëveshje bazë e jo përfundimtare; pa njohje de jure, dhe me autonomi të gjerë për serbët në Kosovë, është përfundim katastrofal.” - ka thënë Abdixhiku.
Tutje, i pari i LDK-së ka thënë se kryeministri i Kosovës ka pranuar atë që kishte paralajmëruar LDK-ja.
“Pra do të pranojë Statutin e Asociacionit, që shumica e sotme i ka dhënë dikur emrin Zajednicë. Përkundër refuzimit të vazhdueshëm nga atëherë se ky pranim po ndodhte, Statuti i Asociacion na vije çuditërisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë.” – deklaroi Abdixhiku
Sipas tij, dokumenti në fjalë duhet të publikohet.
“Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë në raport me Serbinë, vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës. Si Lidhje Demokratike e Kosovës, nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit kemi kërkuar qasje zyrtare në këtë dokument. Jo vetëm për deputetët e partisë sonë politike, por për të gjithë deputetët në këtë Kuvend. Një qasje e tillë nuk na është siguruar ende” – ka thënë Abdixhiku.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kritikoi kryeministrin Kurti që s’po e ndan draftin për Asociacionin të propozuar nga emisarët perëndimorë, duke thënë se një gjë e tillë mund ta favorizojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Me dashje apo pa të, Albin Kurti po i bën favor Aleksandar Vuçiqit, duke mos shpalosur informacione dhe duke i mbajtur në raportin konfidencial informatat” – tha ai.
Tahiri përsëriti se një kryeministër kurrë s’do të pranonte që informatat relevante të mbahen në konfidencë, larg qytetarëve, pa besimin e tyre.
“Këtë qasje nuk do të duhej ta kishte një kryeministër teknik, e lëre më ky që e ka gjysmën, duke mos pasur fuqi, e synim strategjik, kanë dhënë shkas miqve tonë, që të shprehin mosbesim ndaj tij si përfaqësues i Kosovës, pastaj edhe si i Qeverisë.” – shtoi ai.
Ndërsa, Haki Abazi, deputet i pavarur, që dikur ishte pjesë e VV-së, ka kritikuar ashpër Kurtin. Duke e cituar një fjalim të Kurtit, Abazi ka pyetur shefin e ekzekutivit nëse “është serbofil”.
“Vetëmenaxhimi nuk është nocion abstrakt, është përmbajtësor, ka me menaxhu me diçka. Hajde shkojmë pak më tutje. Serbofilë janë kryeministrat që pranojnë Asociacion. Çka je sot z. kryeministër? A je serbofil?” – tha Abazi në Kuvendin e Kosovës.


