Abdixhiku: Kurti bëri atë që kishim paralajmëruar, pranoi atë që e quajti Zajednicë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të shpaloset para opinionit draftin e Asociacionit.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ai ka deklaruar opozita dhe populli i Kosovës janë në terr informativ për draftin e propozuar të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
I pari i LDK-së ka thënë se kryeministri i Kosovës ka pranuar atë që kishte paralajmëruar LDK-ja.
“Pra do të pranojë Statutin e Asociacionit, që shumica e sotme i ka dhënë dikur emrin Zajednicë. Përkundër refuzimit të vazhdueshëm nga atëherë se ky pranim po ndodhte, Statuti i Asociacion na vije çuditërisht një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë”, ka thënë Abdixhiku
Sipas tij, dokumenti në fjalë duhet të publikohet.
“Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë në raport me Serbinë, vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës. Si Lidhje Demokratike e Kosovës, nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit kemi kërkuar qasje zyrtare në këtë dokument. Jo vetëm për deputetët e partisë sonë politike, por për të gjithë deputetët në këtë Kuvend. Një qasje e tillë nuk na është siguruar ende”, ka thënë Abdixhiku.
Më tej, ai ka bërë me dije se ende nuk dihet nëse Kurti ka pranuar Asociacion Kushtetuese apo autonomi.
“Tani unë s’them se Asociacioni Kushtetues s’duhej bërë. Përkundrazi, them që keni bërë mirë që nga pozicioni i juaj refuzues, keni arritur në atë pranues; nëse gjithmonë bëhet fjalë për Asociacion Kushtetues e jo autonomi. Këtë ende nuk e dimë, dhe për të kuptuar këtë duhet parë dokumenti”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas të parti të LDK-së, Kuvend sot është dashur të diskutonte për një materie të pranuar zyrtarisht.
“Ky hamendësim bëhet edhe më i thellë kur kuptojmë se dy zyrtarë shtetërorë, Kryeministri dhe Presidentja, që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij, kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa Kryeministri pretendon se Statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese – ose së paku kështu i kanë thënë atij – Presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalosë hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë”, ka thënë Abdixhiku.