Lajçaku ia atribuon vetes një të arritur, bëri që Kurti dhe Vuçiqi “ta dëgjojnë njëri tjetrin” - NACIONALE

Lajçaku ia atribuon vetes një të arritur, bëri që Kurti dhe Vuçiqi “ta dëgjojnë njëri tjetrin”

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Ishin kohërat e takimeve të para që kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte marrë pushtetin në vend dhe ishte nisur për Bruksel për të zhvilluar takime me homologun serb të tij, Aleksandar Vuçiqin. Tonet ishin krejt tjera. Në takim Vuçiqit ia kishte nxjerrur të dhënat historike se si Serbia përgjatë 150 viteve kishte kryer tre gjenocide në Kosovë. I kishte shkuar me tri libra, ku njëra ishte për gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1878-1884. “Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid”, shprehej Kurti teksa brohoritej gjerësisht brenda vendit si një kohë e re kur “Kosova nuk është më objekt në dialog, por palë” . Vuçiq madje thoshte se në takim Kurti u shpjegonte se “mbiemrat e shqiptarëve kanë rrënjët në toponime të vendeve në Serbi”. Ky ishte korriku i vitit 2021.

Emisari Special i Bashkimit Evropian i ngarkuar me lehtësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në disa intervista të kohëve të fundit, rikujton ato kohëra të cilat i vlerëson për tejet të vështira ku Kurti dhe Vuçiq “fyenin njëri tjetrin” dhe se as që bëhej fjalë "të dëgjonin njëri-tjetrin”. Ishte ngarkuar me një dialog i cili për mëse dy vite as që kishte ekzistuar për shkak të pezullimit thuajse të krejtësishëm të saj. Prej “fyerjes” në “të dëgjuarin e njëri-tjetrit”, tha hiç më larg se sot Lajçaku, nuk është arritje e vogël tash me BE-në.

Ishte shkurti i këtij viti tashmë që para vetes mbante arritjen e Marrëveshjes Bazë përmes planit franko-gjerman që ishte shndërruar në edhe “merre ose leje” marrëveshje, kur Lajçaku jepte tone optimiste për marrëdhënuiet Kurti-Vuçiq. Jo vetëm që në piedestal ishte një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por Lajçaku jepte edhe një “normalizim të marrëdhënieve” ndërmjet tyre. Emisari sllovak ishte i gëzuar të njoftonte se “ka një atmosferë respekti mes tyre”, dhe se “po flasin haptazi për herë të parë”. Kështu i kishte thënë medias serbe që operon në ShBA, “The Pavlovic Today”.

Kaluam më shumë se tetë orë në takim, pra mund ta imagjinoni që [atmosfera] është shumë e hapur”, pati thënë Miroslav Lajçak, derisa pyetja e gazetares serbe ishte se “mbi këtë respekt...a munden që Kurti dhe Vuçiq të bëhen miq?”

Lajçak nuk mund t’ia thoshte një afirmative kësaj pyetje, por shprehej se respekti nuk mungon. “Shikoni, miqësia është kategori tejet e veçantë. Miqësia s’bëhet me detyrim. Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme është të ketë respekt për njëri-tjetrin. Dhe ata ia tregojnë njëri tjetrit këtë respekt”, thoshte ndërmjetësi sllovak. Megjithatë, e kishte të qartë ai, “në deklarimet publike ka hapësirë për përmirësime”.

Në maj të vitit 2022 dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa po fliste në “Atlantic Council” pati dhënë një frazim krejt tjetër nga çfarë shprehej më herët për kohën kur Vuçiq ishte ministër serb i propagandës.“Vuçiq s’do të duhej ta kishte të vështirë të distancohej nga Millosheviqi, ngase ai s’e ka konsultuar kurrë […] Mund ta imagjinaoj që Millosheviqi kurrë nuk e ka konsultuar Vuçiqin”. Një deklaratë e tillë ishte lexuar për “shfajësim” të Vuçiqit dhe të kaluarës famëkeqe të tij, dhe kishte jehuar në debatin publik si një “tentim për të shfajësuar Aleksandar Vuçiqin”.

Hiç më larg se sot, Miroslav Lajçak, dha sërish një tablo, sipas tij, premtuese. Kurti dhe Vuçiq, tha ai, tashmë kanë “një marrëdhënie pune” dhe se në të kaluarën për shkak se “ata vëzhgohen nga afër” prej qytetarëve të tyre kanë qenë në presion. Kësisoji “u është dashur kohë”, tha ai, për të arritur në këtë stad të “marrëdhënies së punës” .

Të dy e kuptojnë se sa i rëndësishëm është ky dialog për ta. Në të njëjtën kohë, është shumë e vështirë për ta. Sepse edhe Vuçiq edhe Kurti e dinë se çdo gjë për të cilën bien dakord do të shikohet nga afër nga qytetarët e tyre dhe publiku. Për shkak të këtij presioni, atyre iu desh një kohë që të krijonin një marrëdhënie pune. Mbaj mend që takimi i parë në 2021 nuk ishte i lehtë. Më pas ata mësuan të dëgjonin njëri-tjetrin dhe të mos pajtoheshin me respekt në vend që të fyenin njëri-tjetrin. Tani i jemi kthyer menaxhimit të krizave”, shtoi Lajçak sot duke folur për median austriake “Kurier”.

Lajme të ngjashme