Lajçak udhëton për në Londër, do të ketë “konsultime rreth dialogut”
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se do të udhëtojë për në Londër për konsultime rreth këtij procesi.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, Lajçak ka thënë se pati një ditë intensive me takime në Berlin.
“Pas një dite intensive në Berlin të mbushur me takime në Kancelari, Zyrën Federale të Jashtme dhe Bundestag, tani do të shkoj në Londër për dy ditë për konsultime rreth dialogut.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, në një prononcim të bërë para disa ditësh për gazetën Nacionale, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano deklaroi se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do të shihet nëse palët janë partnere të besueshme të BE-së.
“Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin e 35-të për Serbinë dhe në agjendën e Grupit të Posaçëm për Normalizim për Kosovën. Kjo nënkupton që Palët do t’i zbatojnë dispozitat sipas kontratës, nëse duan të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi e nënkupton braktisjen e rrugës së BE-së. Reputacioni dhe besueshmëria ndërkombëtare e palëve, gjithashtu, janë në pyetje këtu – për t’u parë si partnere të besueshme për BE-në, Palët duhet ta zbatojnë atë që e kanë premtuar.” – tha Stano për Nacionalen.
Stano rithkesoi qëndrimin e Borrelit që palët të mos drejtojnë gishtin nga njëra-tjetra.
“Ditëve të ardhshme, tani me përkrahjen nga Këshilli Evropian (Udhëheqësit e të gjitha 27 Shteteve Anëtare), institucionet e BE-së do ta nisin procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: “Do të doja t’i këshilloj ata që ta bëjnë punën e tyre në vend të drejtimit të gishtit nga të tjerët.” – përfundoi Stano.