Lajçak thotë se ekipi menaxhues e prazanton sot draft-statutin e Asociacionit: Hapi i parë i rëndësishëm
Sot pritet të prezantohet draft-statuti i Asociacionit dhe tash për këtë çështje ka folur edhe emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Llajçak.
Në prag të raundit të ri të negociatave në Bruksel, Lajçak u shpreh se statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhej të ishte i pranueshëm për të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.
“Ekipi menaxhues do ta prenzantojë drafin. Ne nuk e dimë se çfarë ka në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Së fundi, duhet ta kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm,” – u shpreh z. Lajçak në fjalën e tij.
Edhe kryeministri Kurti e ka pranuar që draft-statuti do të prezantohet nga ekipi menaxhues në Bruksel.
“...edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë,” – kishte thënë ai. Paraprakisht, kryeministri e kishte pranuar se nuk kishte informacione të mjaftueshme mbi statusin apo edhe përbërjen e këtij ekipi.
Më vonë ishte marrë vesh që ekipi menaxhues kryesohej nga ana e Danijela Vujiçiqit nga Mitrovica e Veriut, që ishte deputete nga radhët e Partisë Progresive Serbe që drejtohet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
A tha diçka tjetër Lajçaku?
Ai tutje tha se varej nga të dyja palët se si do të dukej statuti i Asociacionit.
“Ne jemi këtu për të zbatuar atë që është rënë dakord gjatë dialogut. Kjo nuk është imponuar. Është dakorduar mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013. Për ne është e rëndësishme që çdo zgjidhje të jetë zgjidhje evropiane,” – u shpreh Lajçak.
Ai sërish përmendi modelet ekzistuese evropiane duke u shprehur se “nuk duam të krijojmë diçka që nuk është testuar kurrë askund në botë, por duam që vendet të gjejnë frymëzim në modelet evropiane që funksionojnë mirë,”
Nuk dihet nëse delegacioni kosovar i kryesuar nga kryeministri Kurti do të ketë një propozim të vetin për statutin e Asociacionit.
Përveç Asociacionit, pjesë e diskutimeve të sotme pritet të jetë edhe Deklarata për të Pagjeturit. Takimi trepalësh – BE, Kosovë, Serbi – është thënë se do të fillojë në orën 18:00.

