Kuvendi s'po funksionon, s'ka kuorum për asgjë: Në seancën e sotme nuk u votua asnjë vendim - NACIONALE

Kuvendi s'po funksionon, s'ka kuorum për asgjë: Në seancën e sotme nuk u votua asnjë vendim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në mungesë të kuorumit, edhe seanca e sotme parlamentare është mbyllur.

Ndonëse janë shtruar për diskutim disa pika të agjendës, në këtë seancë deputetët nuk e kanë votuar asnjë vendim.

Në këtë seancë Kuvendi nuk kishte kuorum për asgjë. Në këtë mënyrë ka dështuar ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare dhe votimi disa ligjeve.

Pas konsultimeve me shefen e Grupit Parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Kuvendi nuk ka kuorum për t`i vazhduar punimet.

Ai ka thënë se të paktën janë tre deputetët të VV-së që nuk do të votojnë asnjë projektligj.

Me sa po e kuptojnë gjendjen e grupit të mazhornacës, se paku tre deputetë nuk do të votojnë asgjë, asnjë projektligj. Kështu që, nuk ka kuorum Kuvendi për me vazhduar. Caktojnë ndonjë ditë një seancë tjetër, me gjasë javën e ardhshme”, ka thënë Konjufca.

Fillimisht, deputetët nuk e kanë përkrahur emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Ndonëse për këtë çështje u diskutuar për një kohë, në fund nuk pati vota të mjaftueshme.

Më pas, në votim janë hedhur tri marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat nuk kishte kuorum.

Bëhej fjalë për këto marrëveshje: Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim;

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore;

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale.

Në fund, Konjufca hodhi në votim edhe dy pika tjera: Votimin në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor dhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, por as këto dy projektligje nuk u përkrahen.

Replika e Konjufcës me Korenicën

Vlen të theksohet se në këtë seancë kishte një replikë në mes të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe deputetit të VV-së, Visar Korenica.

Ky i fundit, kërkoi nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci që të merret me rastin e vajzës nga Peja, e cila është përjashtuar nga shkolla për shkak të shamisë.

Po du me e ngre një shqetësim aktual, të njëjtin shqetësim e kam ngritë edhe vitin e kaluar, më vjen keq që sot ministrja e Arsimit nuk është në Kuvend. Por megjithatë duhet ta dini që ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë, është e moshës madhore i ka 18 vjet, çdo të dytën tretën ditë, paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikçi. S’e kuptoj sa e drejtë është të qëndrojmë këtu si deputetë, ju si kryekuvendar në krye të Kuvendit, por edhe vetë ministrja e Arsimit, e të mos mirret me rastin dhe me i jepë të drejtën vajzës me shku në shlkollë. E kemi këtë përgjegjësi, nuk ka kuptim me vazhdum e procesin e votimit, edhe mos me u marrë, edhe mos me e trajtu këtë rast, dhe me i jepë të drejtën për shkollim. I qoj mesazh të drejtpërdrejtë ministres të merret me rastin, dhe të mos lejojë të njëjtat problem çdo vit me u paraqit për një faj që ne e kemi trashëgu nga dikush tjetër me një udhëzim administrative diskrimunes.”, ka thënë ai.

Më pas ia tërheqi vërejtjen kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili mes tjerash, ka lënë të kuptohet se kjo deklaratë u bë për shkak të fushatës.

Unë si kryetar i Kuvendit, meqë po kërkon me qenë professional, duhet me ta tërhjek vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës. E para, dhe besoj që fushata fillon kah 6-7 janari, dhe e keni të gjithë kohën e mjaftueshme me i ngrit të gjitha problemet.”, është shprehur Konjufca.

Lajme të ngjashme