Kuvendi i Kosovës shkon në pauzë dy orë, pas përleshjeve me grushta
Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë për dy orë, pas tensioneve të shumta që dërguan edhe në përleshje fizike mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë Kurti
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka theksuar se për këtë situatë “duhet të japin përgjegjësi të gjithë”, derisa theksoi se nuk ka kushte për ta vazhduar seancën.
Kështu, seanca pritet të rifillojë pas dy orëve.
Ndërkohë, derisa kryeministri Kurti po mbante fjalim, fillimisht, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e quantë “rrenc”.
Më pas, njëra prej deputeteve vendosi një fotografi në foltoren e Kuvendit, ku shihej kryeministri me “hund të zgjatur”, që simbolizon gënjështrën.
Pas disa sekondave, letra u largua dhe u shqye nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Kjo e acaroi deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë nga një shishe në drejtim të zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe më pas, përleshja eskaloi ku ministrat e Qeverisë sulmuan deputetin Lushtaku dhe të tjerët që dolën aty.
Në pamjet shihej se deputetët janë përleshur me grushta, derisa ka ndërhyrë edhe sigurimi i kryeministrit Kurti.