Kusari përmendi Hagën, djali i Afrim Bunjakut, "këshillat" e opozitës: Si shkoi seanca për ditën e pavarësisë?
Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur seancë solemne me rastin e 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit. Të pranishëm, përveç pozitës e opozitës, ishin edhe ambasadorët e djali i dëshmorit Afrim Bunjaku.
Seanca u hap me një fjalim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani:
“Sot përulemi para brezave, së pari, që iu dedikuan lirisë, le t’i kujtojmë sot ata, le ta bashkojmë fuqinë tonë, shpirtin tonë në kujtim të etërve themelues, grave e burrave, bijave të kësaj toke që sakrifikuan gjithçka. Është koha të kthehemi pas, e të shohim rrugëtimin tonë, përpjekjen e palëkundur për liri, t’i kujtojmë ata qe e mbajtën të gjallë idealin për shtetin e luftuan për të.”
Osmani ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, komandantin legjendar, Adem Jashari, delegatët e dy korrikut, si dhe përfaqësuesit e popullit që shpallën pavarësinë më 17 shkurt 2008.
“…nga vizionari i madh e arkitekti i pavarësisë, presidenti Ibrahim Rugova, deri te shembulli i rezistencës e sakrificës njerëzore, kryekomandanti Adem Jashari. Nga delegatët e dy korrikut, e deri te përfaqësuesit e popullit që shpallën pavarësinë më 17 shkurt." – është shprehur presidentja e vendit.
Derisa Osmani po i thoshte këto fjalë, në një pjesë tjetër të Kuvendit ishin të ulur ambasadorët e huaj, derisa pak metra më lartë, edhe djali i dëshmorit, Afrim Bunjaku, i cili u vra në sulmin e 24 shtatorit.
Fjalën e tyre, më pas e thanë edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca e kryeministri, Albin Kurti.
Çka la përshtypje, ishte një deklaratë e dhënë më pas nga shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila përmendi Hagën, atje ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së.
“Lufta jonë e drejtë për liri dhe shtet, po mbrohet edhe sot në Hagë” – deklaroi ajo.

“Këshillat” e opozitës
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në deklaratën e tij para Kuvendit, e huazoi një thënie të Ibrahim Rugovës, ish-president i Kosovës. “Shtëpia nuk mbahet pa miq” – ishte fjalia që Abdixhiku e huazoi nga Rugova, një personalitet i shquar historik që nga shumë konsiderohet si “ati i pavarësisë”.
“Sot falënderojmë të gjithë aktivistët që punuan për këtë ditë., Falënderojmë prijësin e rrugës sonë dhe presidentin historik Ibrahim Rugova, falënderojmë luftën e shenjtë të UÇK-së dhe sakrificën e familjes së Jasharajve. Në kohërat më të vështira, krijuam unitet të brendshëm. Krijuam ura bashkëpunimi mes vete dhe aleatë, prandaj kapërcyem sfida të pakapërcyeshme më parë. Ndiejmë mirënjohje për aleatet që në orët më të vështira na dolën në krah. Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot dhe s’do të mbahet as nesër. Këto aleanca t’ia mësojmë brezave të rinj.” – tha ai.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri vlerësoi se nuk mund të ketë festë pa falënderuar miqtë e Kosovës.
“S’mund të ketë festë pa falënderuar miqtë tanë. Populli jonë, kushdo që është në pushtet, nuk do ta kontestojë asnjëherë miqësinë me SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe. Shumëkush, jo vetëm armiqtë e jashtëm, por edhe nga brenda, nuk besuan që do të shpallej Pavarësia e Kosovës. Por SHBA-ja nuk na zhgënjeu, i zhgënjeu ata që ishin skeptikë për orientimin euroatlantik. Ky vend nuk meriton qeverisje që e fut vendin në sanksione.” - tha sot Tahiri në Kuvend.
Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri nuk harroi t’i përmendte miqtë e Kosovës.
“Duhet ta ruajmë partneritetin që e kemi ndërtuar me mund me SHBA-në dhe shtetet e BE-së, kjo nuk është dëshirë, është obligim që e ke marrë nga brezat që dhanë gjithçka për këtë liri.” - ka theksuar ai.
Sjellim ndër mend që ditë më parë ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, theksoi se raportet në mes Kosovës dhe ShBA-së janë prekur pas vendimit të BQK-së për të ndaluar dinarin serb.