"S'e kam kontestuar vërtetësinë"; "Është e manipuluar": Kusari-Lila bën rrëmujë justifikimesh për komunikimin me Radoiçiqin
Mimoza Kusari-Lila, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka akuzuar edhe një herë mediat për manipulim të audio-incizimeve autentike të bisedës së saj me Milan Radoiçiqin, kryeorganizatorin pas sulmit në Banjskë, njëherësh i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit të ShBA-së, duke pretenduar për shtrembërim të kontekstit për t'iu përshtatur objektivave.
Në një intervistë në Konfront të KTV-së, Kusari-Lila dha një kronologji konfuze të ngjarjeve. Ajo pranoi se vitin e kaluar nuk e kundërshtoi vërtetësinë e përmbajtjes së publikuar nga Nacionale në lidhje me bisedat e saj me Radoiçiq, por u ankua për ato që ajo i quajti “elemente të bisedës telefonike.”
"Vitin e kaluar unë nuk e kam kontestuar vërtetësinë në kuptimin e materialit që është publikuar por ka qenë evidente që nuk ka qenë një bisedë e tërë. Ka pasur shumë ndërprerje dhe janë dhënë tituj të temave të bisedave sipas vullnetit, dëshirës apo qëllimit të autorit", tha ajo.
Pa përmendur ndonjë situatë konkrete faktike, Kusari-Lila pohon se konteksti është manipuluar në shumë publikime "sipas dëshirës apo sipas objektivit."
“Biseda që është publiku ka pasur elemente të bisedës telefonike. Domethënë jo e njëjta me atë dhe aty e kam pasur dyshimin e parë që kjo është e manipuluar. Biseda që ka ndodhur në zyrë është këputur, është ngjitur sipas dëshirës apo sipas objektivit që e ka pasur portali për ta prezantuar temën në fjalë." - deklaroi Kusari.
Ajo shtoi ka kërkuar nga Prokuoria superekspertizë të audio-incizimeve që kanë dalë nga komunikimet e saj me Slavko Simiqin.
“Unë kam kërkuar në kallëzimin penal që e kam dorëzuar kam bërë kërkesë prokurorisë së shtetit që të bëhet edhe superekspertiza. I qëndroj prapa deklarimit, kërkoj superekspertizën dhe kjo bëhet jashtë Kosovës”, ka thënë ajo.
Vëmendje ditëve të fundit ka tërhequr edhe përdorimi i termit serb “brate” (vëllai) në komunikimet e saj me Slavko Simiqin, ish-deputet nga Lista Srpska
Sipas shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, fjala “brate” e përdorur në bisedë do të thotë “mik” në serbisht.
“Për të gjithë që e flasin gjuhën serbe ose malazeze e dinë kuptimin e fjalës ‘brate’ që nuk do të thotë fjalë e vëllait në veçanti, por fjalë e mikut. Në mënyrën se si përdoret si sinonim i bisedës së lirë, në kuptimin e tillë. Se sikur të ishte vëlla, sikur të ishte ai bashkëpunim ashtu siç po mundohet të aludohet, ai bashkëpunim do të vazhdonte. Gjuha është një komunikim me të cilën unë sot do ta kem një komunikim me cilindo deputet në përgjithësi, si nga pozita si nga opozita, pasi unë komunikoj lirshëm me të gjithë”.