‘Kurtoviqi', ‘VV si një bandë kineze’: Çka thanë politikanët e 'goditur' në videon e LVV-së?
Rreth 230 mijë persona e kanë shikuar deri më tani videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ku goditen figurat politike që kanë qenë në pushtet para liderit të tyre, Albin Kurti.
Videoja i ngjan LVV-së opozitare, por duhet theksuar, kjo parti e ka pushtetin tani dhe janë pak të vështira arsyet të kuptohet se pse ishte nevoja të publikohet diçka e tillë, e të sulmohen të tjerët.
“Shkatërrues të vendit”, konsideroheshin krejt ata që kanë qeverisur para LVV-së, në videon e publikuar dje.
Ajo që shkaktoi reagime të ashpra, ishte se në video sulmoheshin edhe ish-presidenti Hashim Thaçi e ish-kryparlamentari Kadri Veseli, dy ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Si reaguan politikanët e përfshirë në videon e VV-së?
“Shkatërruesit jeni ju”, kështu iu përgjigj Behgjet Pacolli partisë në pushtet. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, konsideron se Qeveria po ua konsumon paratë taksapaguesve, në këtë rast, edhe atij.
“E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?”, ka thënë ai.
Edhe Memli Krasniqi, lideri opozitar, reagoi për këtë video të LVV-së, për të cilën thotë se e shikoi me shumë kureshtje.
“Kryeministër, ta them të drejtën u bëna shumë kurrreshtarë dje kur dëgjova dje se e kishe publiku një video të re, fillimisht prita që ki me prezentu një plan të ri e konkret për zgjidhjen e krizës energjetike, ose një njoftim që kanë me sjell investime të huaja që kanë me kriju mijëra vende të punës. Prita ndonjë lajm për masat të reja përmes të cilava qytetarëve të Kosovës kishe me ua lehtësu krizën e rëndë ekonomike. Të paktën prita ndonjë vendim për dhënjën e pagave që i meritojnë mësimdhënësve që po i penalizon në kohën kur po e vuajnë zyrtarisht krizën ekonomike, por prapë mbeta shumë i zhgënjyer me atë që pashë, njejtë sit ë gjithë qytetarët e vendit, akuza të vjetëra e të pa baza ndaj gjithçkaje dhe ndaj gjithsecilit, sepse duket se në botën tënde veç ti je perfekt, të gjithë të tjerët që janë gjallë janë të kqinjë, sepse për ty askush tjetër nuk ka rëndësi përveç teje”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i tha Expressit se videoja e VV-së i ngjan me “një bandë të drejtuar nga e veja e Mao Ce Dunit, që organizonte dhe poshtëronte figura të rëndësishme kineze”.
“Në kohën e Revolucionit Kulturor Kinez, një bandë e drejtuar nga e veja e Mao Ce Dunit organizonte dhe poshtronte figura të rëndësishme kineze. Çdo gjë dukej ngjashëm me videon e VV-së; mungon vetëm e veja e Maos (e cila më vonë përfundoi në burg për persekutimet që i bëri)”, tha ai.
I ashpër ka qenë të hënën edhe reagimi i të apostrofuarit tjetër në këtë video, Sami Lushtaku, i cili iu drejtua Kurtit si “Kurtoviq”.
Ai madje tha se “ka më shumë respekt për një serb të Beogradit, sesa për shefin e ekzekutivit”.
"Kështu që e ftoj z.Kurtoviqi që është në qeveri, le të urdhërojnë, shtetin e kanë, prokurorinë. Më vjen keq, kam prit prej kesaj qeverie që të interesohet minimalisht për ata në Hagë, që kjo qeveri t'i ndihmojë ata njerëz që janë në Hagë. More, kqyre unë më shumë e respektoj një serb të Beogradit se sa Albin Kurtin", tha ndër të tjerash Lushtaku.
Në anën tjetër kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas kësaj videoje tha se “më shkatërrues” se Qeveria Kurti vendi nuk do të ketë “edhe 100 vjet”.
“Më shkatërrues se këta njerëz të shteti nuk ka me njoftë më qeverisja në Kosovë, të paktën nja 100 vjet. Çdo ditë e lume, një muaj i këtyre është sa një vit i dikujt tjetër me bë dëme. Janë edhe hajna edhe haraçegji, edhe çdo gjë janë. Ato i kanë pasë veç me i mashtru qytetarët, veç me e marrë votën”, ka thënë ai.
LVV “harron” t’i përmend skandalet e Qeverisë Kurti II
Pikat kyçe në videon e LVV-së kishin të bëjnë me luftë ndaj kundërshtarëve politikë, linçime ndaj sindikalistëve, akuza ndaj njerëzve me të cilët qeverisnin dikur.
Sidoqoftë, pushteti harroi t’i përmendë skandalet e veta.
Vlen të theksohet se Nacionale raportoi ekskluzivisht për skandalin në ministrinë e Liburn Aliut, me ç’rast nisën edhe hetime, ndërkaq u bë katalizator edhe për ato kundër ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj.
