"Kurtit ia bëmë bollshëm të qartë": DASh-i shembi tregimin e Kurtit, reagime për gjendje alarmi në raportet Kosovë - ShBA
‘Guvernanca’ në veri të Kosovës e dhënë për publikun shqiptar si pastërtisht ‘sovranitet’ e ‘sundim i ligji’ pa pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik të komunitetit serb ka qenë aksi i angazhimit qortues–e deri edhe ndëshkues–i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Qeverisë Kujdestare të Kosovës. Ambasada e ShBA-së që prej dy muajsh më parë ishte bërë mëse e gjallë për t’i dhënë jehonë asaj që ata e dinin për “përpjekje për të bllokuar partitë serbe për pjesëmarrje në zgjedhje lokale” dhe Annu Prattipati në një intervistë dhënë për Leonard Kerqukin në “Gazetën Express” kishte cituar hiç më pak se autoritetin e fjalëve të J.D Vance, të një fjalimi të tij në Mynih që kishte shkundur debatin publik në Gjermani, që as një parti ekstremiste si “AfD”-ja nuk duhej të ndalohej, dhe kjo si themeltari e demokracisë. Ky citim që Prattipati i bënte Vance ngërthente me vete seriozitetin e qëndresës amerikane për rikthimin e përfaqësimit politik të serbëve të Kosovës: me zgjedhës e të zgjedhur. Fjalët e Prattipatit ishin si ‘gjuajtje guri në ujë që s’bën çklup’. Dhe, me këtë, angazhimi amerikan u rezortua në ndëshkim: Suspendimi i Dialogut Strategjik që i ra një variacioni të divorcit bilateral. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i tha “Kohës Ditore” se kjo masë ndëshkuese erdhi si pasojë e “shkeljes së vijës së kuqe” nga Albin Kurti me përpjekjen “për të ndaluar Listën Serbe” për të marrë pjesë në zgjedhje. Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në vizitën e tij elektorale –e jo bilatarele–në Uashington, i ra një tjetër tregimi, gjerësisht të lexuar për skandaloz, për çështjen në fjalë: tha se ShBA është kundër ‘sundimit të ligjit e sovranitetit’ dhe për rrjedhojë erdhi ndëshkimi. Por, flakjen tutje ndaj kërkesave amerikane e artikuloi edhe më rëndë: tha se duan “Serbinë ta tërheqin nga Rusia “ në kurriz të Kosovës, dhe se “...më falni për sinqeritetin, ky nuk duhet të jetë problemi im”. Në një përgjigje për gazetën “Nacionale” Departamenti i Shtetit demantoi rëndë Albin Kurtin, se suspendimi i Dialogut Strategjik është “krejtësisht i bazuar në veprimet e Qeverisë Kujdestare” dhe çfarëdo përpjekje “për të sugjeruar që kjo ka të bëjë me Serbinë apo akterë të jashtëm është e pasaktë dhe përpjekje për të ikur nga çështjes thelbësore në pyetje”. Shqetësimet amerikane, na thanë DASh-i, “ia kemi bërë bollshëm të qartë (ang: abundantly clear)”.
...
Studiuesi Agon Maliqi sheh se qeveria amerikane, tash e më shumë se dy vjet në relacion me qeverinë kosovare, është përballë një “problemi të patejkalueshëm” dhe po synon të përçojë mesazhin e tillë te popullata vendore: dhe ky mesazh, që Kosova është në izolim e sipër.
“Departamenti i Shtetit dhe zyrat diplomatike të shteteve të BE po përballen me një problem të patejkalueshëm. Po mundohet ndër vite të komunikojnë në menyrë diplomatike, respektuese ndaj votuesve, shpesh përmes kanaleve jozyrtare, se qasja e Kurtit nuk prodhon rezultate në këtë marrëdhënie dhe se po e izolon Kosovën. Problemi me të cilin po përballen nuk është vetëm mungesa e shtyllës kurrizore të elitës intelektuale në Prishtinë për t’ia përkthyer këto mesazhe oponionit publik, për t’ia shpjeguar realitetin e nivelit të marrëdhënieve dhe pasojat”, shkroi Maliqi në Facebook.
“Problemi është se Prishtina mbetet e ngujuar intelektualisht në nivelin e Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës dhe sundohet nga po ajo kuazi-elitë intelektuale dhe provinciale e cila tanimë është resetuar krejtësisht në “factory settings” të para viteve 90, gjegjësisht në botëkuptimet qoftë titiste apo enveriste mbi politikën e jashtme, dhe është bashkëaksionare krejt e vetëdijshme e agjendës reaksionare të Kurtit. E lehtë është t’ua lesh fajin për situatën injorantëve që besojnë lajme të TikTokut për “luanin Kurti”, kur njerëzit e letrave dhe autoritetet morale heshtin dhe e miratojnë frymën ku manipulimi sistematik i një demagogu bëhet i besueshëm”, tha ai.
Rrahman Paqarizi, profesor universitar dhe opinionist në “Rubikon” e pa në pamje skajshmërisht jopremtuese deklarimin e Departamentit të Shtetit. Konkluzioni i tij ishte se “ka me ardhë dita kur kemi me u turpëru të gjithë se nuk e parandaluam” kursin e ndjekur nga Albin Kurti.
“Amerika është në ujëra të panjohura, dhe nuk dimë si të navigojmë në këtë situatë. Me qenë Amerika në ujëra të panjohura në Rusi, në rregull, në Kore të Jugut, në rregull...por, në Kosovë? Kjo është fundi. Besomni, është qaq e rëndë, sa kemi me ardhë në një situatë, që kemi me fol një ditë tjetër. Ne jemi përpara një testi. Ai ka me qenë testi më i rëndë për Kosovën, dhe po na vjen”, tha Paqarazi.
Madje edhe për vendimin në pritje të Gjykatës Kushtetuese, Paqarizi tha se Albib Kurti “ka me përdor dhe ripërdor si gjithmonë si trampolinë populiste” te elektorati i vet, “që e dinë se mundet me i manipulu”. Këtu iu referua vizitës së tij në Amerikë, që pafund përdredhim u bë nga spindoktorë të partisë së vet, se “Qe, Kurti në Amerikë është”.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, deklarimet e Kurtit në ShBA i pa të papërgjegjshme dhe të llojit të një “analisti mediokër” që, në rolin e një pushtetari, dëmton interesat shtetërore të Kosovës.
“A.K i jep vetes të drejtë që, në përpjekjen e tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve të Kosovës, të mashtrojë publikisht për arsyet e pezullimit të dialogut me Serbinë. Ai përpiqet të manipulojë opinionin publik për një grusht votash, duke u mbështetur në një populizëm banal, e ndërkohë rrezikon skajshëm raportin e Kosovës me aleatin e saj më të rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga një ekskursion në SHBA, del e bën deklarata si analist mediokër dhe i papërgjegjshëm i politikës së jashtme amerikane, duke dëmtuar imazhin dhe interesin shtetëror të Kosovës”, tha ajo.