Kurti 'tri garancione', Vuçiqi 'Asociacionin', Borrelli 'zbatim në paralel' – Krejt çka ndodhi sot në takimin jo-trepalësh
‘Nënshkruaj, anulo letrën e Bërnabiqit, dorëzo Radojçiqin’.
Këto ishin tri kërkesat e Kurtit drejtuar Vuçiqit, për të vazhduar me zbatimin e marrëveshjes.
Vuçiqi, në anën tjetër, në mantrën e “i gatshën për kompromis” kërkoi pikësëpari formimin e Asociacionit.
Josep Borrell, me propozimin e zbatimit në paralel, këtë-për-këtë, në fazë, që përkthehej në propozimin e fundit të BE-së:
Kosova të nis procesin drejt Asociaconit, i.e miratimin e draft-Statutit derisa Serbia nis njohjen e dokumenteve, simboleve shtetërore dhe institucionet e Kosovës.
Asnjë nga këto s’u bë, tha Borrell, sepse “palët janë shumë larg” njëra tjetrës me qëndrime.
“Asociacioni është veç 2 prej 39 marrëveshje, as urgjencë as në qendër”, tha Albin Kurti teksa mohoi se ka pasur “tri kushte”, siç tha Borrelli, por “vetëm garancione për mirëbesim dhe vullnet të mirë”.
Sa për zbatimin e marrëveshjes, Kurti la të kuptojë që s’do të ketë gjë në këtë drejtim pa u përmbushur ato “tri garancitë” e kërkuara, por se Bislimi dhe Petkoviq mund të takohen thjesht për të folur për “plan sekuencimi”.
“Vetëm nënshkrimi sjell garanci ligjore”, e vazhdoi refrenin e këngës së vjetër Albin Kurti.
Se pse Vuçiq heziton të nënshkruajë, Josep Borrell, citoi “shqetësimet e tij kushtetuese”.
Sa për kushtin tjetër, atë të letrës së Brnabiq dërguar EEAS-it më 13 dhjetor, Borrell tha t’i ketë thënë Vuçiq se “është i gatshëm t’i eksplorojë mundësitë”.
Për dorëzimin e Radojçiqit, s’u bë asnjë koment nga ana e BE-së, e as nga ana e Serbisë.
Për Kurtin – që sipas tij, Radojçiq “ende po trajnohet e stërvitet në Serbi për sulme të reja në Kosovës" – tha se “është çështje e sundimit të ligjit...me çka nuk bëjmë kompromis”.
“Ne nuk mund ta ngjallim Afrim Bunjakut, por Serbia duhet të na dorëzojë Radojçiqin”, tha ai.
Borrell tha se “Kurti s’deshi, Vuçiqi deshi” takim trilateral, që përfundimisht nuk u mbajt.
“Kosova nuk ishte e gatshme dhe s’donte takim trilateral...Vuçiqi deshti, por fatkeqësisht s’mundëm të bënim përparim”.
“Ne nuk mund të duam normalizimin më shumë se vetë ata për veten”.
Duke folur për draft-Statutin e BE-së për Asociacionin, Borrell i qëndroi prapa duke thënë se është ofruar “si zgjidhja më moderne për çështjen e pakicave kombëtare”.
Kurti, tha se, sa për Serbinë, “qysh nesër do të vritej marrëveshje” por se është Kosova ajo “që po e mbron atë”; dhe këtë e tha në dritën e pyetjeve për Asociacionin.
“Unë nuk i di hollësitë çka ka qenë në gjendje të lëshojë pe Vuçiqi, por letrat e rezervimit nga anash janë shkelje e marrëveshjes...Merreni me mend nëse ne dërgojmë letra e rezervave, se ku shpien këto punë”.
“Ne kemi thënë hiqni këto letra...le të angazhohemi për marrëveshje...Letrat anësore janë sulm direkt dhe duhet të largohen”, vazhdoi Albin Kurti.
Vuçiqi thotë se “Kurti s’deshi të më takonte”.
“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për mediat.
“Ai nuk ka dashur të më tako...ka thënë se nuk është gati për një takim me Vuçiqin”, tha mes tjerash ai.