‘Kurti të thotë ç’të dojë’: Hill sërish me mesazhe direkte ndaj Kosovës, përmend Asociacionin dhe planin franko-gjerman - NACIONALE

‘Kurti të thotë ç’të dojë’: Hill sërish me mesazhe direkte ndaj Kosovës, përmend Asociacionin dhe planin franko-gjerman

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dialogu me Serbinë mund të mos jetë prioriteti i parë apo i dytë. Por aleatët e vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në vazhdimësi kanë folur për njëfarë urgjence, për arritjen e marrëveshjeve mes dy vendeve. Ambasadori amerikan, Christopher Hill, dha së fundi një deklaratë për “prioritetet” e kryemininistrit kosovar, por foli edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe planin franko-gjerman. Çka konkretisht deklaroi ai?

“Sa i përket vëllimit kohor të punës që bëjë, dialogu s’është prioritet numër 1 apo 2, njësoj siç e kam thënë para një viti e gjysmë”, kështu deklaroi gjatë kësaj jave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti mund të thotë çfarë të dojë për mediat”, u përgjigj ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, kur u pyet për këtë çështje.

Por ai e vazhdoi edhe më tutje fjalën e tij rreth kësaj, duke shtuar se: Të japësh deklarata, nuk do të thotë të bësh politikë.

Asociacioni dhe plani franko-gjerman

Hill në një intervistë dhënë mediumit serb, “Insajder”, ka folur rreth dialogut mes dy vendeve, duke thënë se pa u zgjidhur çështja e serbëve në Kosovë, nuk do të ketë marrëveshje të tjera.

“Ai do të duhet të flasë me negociatorët në Evropë, dhe amerikanët si dhe BE-ja i kanë thënë se duhet të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve në Kosovë. Të jeni të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje të mëtejshme pa zgjidhur këtë çështje.” – tha ai.

Diplomati amerikan ka folur edhe për marrëveshjen e fundit rreth targave, ku këtu më pas përmendi Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

“E gjithë kjo është një detyrë shumë e vështirë – ta kuptojë qeveria në Prishtinë. Por falë punës së palodhur të BE-së, Kurti e kuptoi se çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut dhe duhet të zgjidhet në çdo proces normalizimi”, shtoi ai.

Sa i përket planit franko-gjerman dhe zërave se aty nuk përfshihet njohja reciproke mes dy vendeve, Hill theksoi se ShBA-ja do të dëshironte që Kosova e Serbia ta njohin njëra-tjetrën.

Ne duhet të jemi të sinqertë dhe të qartë, shumë gjëra duhet të zgjidhen përpara se të arrijmë në atë pikë duke filluar me një qasje më të normalizuar sepse për momentin nuk ka pothuajse asnjë marrëveshje për targa” – shtoi ai rreth kësaj çështje.

Hill foli edhe për drejtimin e negociatave nga Bashkimi Evropian, duke thënë se të njëjtat kryesohen nga emisari Mirsolav Lajçak, por me ndihmën e shumë shteteve, duke përfshirë këtu edhe ShBA-të.

A ishin këto mesazhet direkte?

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, mes shumë deklaratave që kanë ardhur këto ditë nga zyrtarë të lartë amerikanë e evropianë, e ka rënditur edhe atë Christopher Hill si më direkte dhe serioze.

Në një shkrim që ai e ka bërë dje në rrjetin social Twitter, Selimi deklaroi si vijon: “Në anën tonë të Atlantikut, Hill ishte edhe më i drejtpërdrejtë, “Kryeministri Kurti e kuptoi se çështja e së ardhmes së serbëve në Kosovë duhet të jetë prioritet absolut dhe duhet të zgjidhet në çdo proces të normalizimit.”

Si mesazh serioz, ai e ka cilësuar edhe deklaratën e emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili u shpreh prerë se Asociacioni do të bëhet.

"Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në, dhe pikërisht për shkak se ne mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet.” – tha emisari i ShBA-së.

Ndërkohë, ai e ka përmendur edhe deklaratën që e dha të premten zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili tha se emërimi i ministrit të ri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, nuk i plotëson kushtet e Kushtetutës.

“Stano i BE-së @ExtSpoxEU gjithashtu foli disa minuta më parë duke kritikuar Kosovën: “Interpretimi paraprak i emërimit të djeshëm [të një ministri serb nga kryeministri i Kosovës] është se nuk i plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës.” - ka shkruar Selimi.

Lajme të ngjashme