Kurti sulmon fshatrat që duan të bëhen komuna: Kanë limit të imagjinatës, mendojnë vetëm si t’i mbushin zyrat
Janë rreth 19 fshatra në Kosovë që duan të bëhen komuna. Të paktën, kështu ka bërë të ditur Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, ku edhe janë dorëzuar kërkesat. Të gjithë këta që dëshirojnë një gjë të tillë, kryeministri Albin Kurti po i konsideron si njerëz “me limit të imagjinatës”.
Kurti në një intervistë për “Al Jazeera”, ka folur për shumë gjëra. Madje, edhe për fshatrat që po duan të bëhen komuna.
Njerëzit që kanë një kërkesë të tillë, Kurti po thotë se kanë “limit të imagjinats”. Ai ka thënë se ata po mendojnë si t’i mbushin zyrat, e jo të sjellin investitorë nëpër komuna.
“Janë disa shqiptarë në disa fshata, ku disa fshatra bëhen bashkë dhe thonë se duan të kenë komunën e tyre. Nuk është mirë, ti e dëshiron, por jo, por duhet të mendosh pse e dëshiron. Ata mendojnë se dikush mund të bëhet kryetar, për shkak të ambicieve të tij politike të njerëzve të caktuar, njerëzit kanë limit të imaginatës për atë se si ndodhë zhvillimi. Ata vetëm mendojnë se duhet t’i mbushin zyrat, se sa të sjellin investitorë që njerëzit të punojnë nëpër komuna dhe të rrisin ekonominë”, ka theksuar kryeministri.
Çka tha tjetër shefi i ekzekutivit?
Kryeministri Kurti në këtë intervistë tha se pala kosovare, ishte pozitive dhe konstruktive në dialog, derisa u shpreh i bindur se më 1 shtator nuk do të ketë barrikada.
“Ne kemi qenë shumë pozitivë dhe konstruktiv në dialog, por të fokusuar për marrëveshjen. Ne kemi diskutuar, mes disa çështjeve të tjera, për tensionet që kanë qenë së fundi, unë mendoj që çdo gjë të do të zgjidhet. Me 1 shtator nuk do të ketë barrikada, siç ka pasur më 31 korrik”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit tha se vendimi nuk do të shtyhet edhe më shumë, ashtu siç ndodhi më 31 korrik, me kërkesë, fillimisht, të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
“Nuk e kemi shtyrë vendimin, me qëllimin që të shtyhet edhe më shumë. Nuk kam dëgjuar tre muaj, por ka qenë gjithmonë ideja që të shtyhet më shumë, për shkak të asaj që mund të ndodhë”, ka thënë ai.
Kurti mes tjerash shtoi se deri më tani, ka pasur rreth 10 sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri, derisa tha se ata dhe Njësinë Speciale, nuk mund t’i ndalojë askush që të shkojnë atje.
Kurti në këtë intervistë e përmendi edhe ish-presidentin, Hashim Thaçi. Kundërshtarin e dikurshëm politik, që sot po mbahet në paraburgim në Hagë, Kurti e sulmoi edhe nga karriga e kryeministrit.
Duke folur për marrëveshjen e Asociacionit, Kurti tha se Thaçi atë kohë ishte në presion, dhe se pati disa forca shtyrëse, duke përmendur këtu edhe Gjykatën Speciale.
“Ai ka qenë nën presion në atë kohë, dhe i është nënshtruar atij presioni. Ai presion ka pasur disa arsye, disa forca shtytëse, një ka qenë Gjykata Speciale, dhe e dyta është që Qeveria e tij është karakterizuar me skandale të korrupsionit”, ka thënë Kurti për “Al Jazeera”.
Ai ka thënë se Thaçi, po ta dinte se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndoshta do të “mendonte dy herë”, para se të nënshkruante marrëveshjen.
Më shumë rreth fshatrave që duan të bëhen komuna
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, muajin e kaluar konfirmoi se janë 17 fshatra që kërkojnë të bëhen komuna, sidoqoftë, Zyra e Komunikimit nga ky dikaster, na tha se janë 19.
Nga MAPL-ja, për gazetën Nacionale kanë bërë të ditur emrat e disa prej këtyre fshatrave, që janë, Zhegra në Gjilan, Vitomerica në Pejë, Orllani në Podujevë, Runiku në Skënderaj dhe Zymi në Prizren.
Muhadin Haziri, përfaqësues i fshatit të Zhegrës, kishte thënë për Nacionalen kanë marrë edhe premtim nga Kurti lidhur me këtë çështje. Madje ai pretendon se kryeministri u ka thënë se do ta ketë proritet Zhegrën.
“Qeveria Kurti na ka premtuar. Na ka thënë jo ende jemi në përgatitje dhe shumë shpejt do ta dërgojmë. Kurti na ka premtuar se Zhegrën do ta ketë prioritet në qeverisje, për t’ia kthyer statusin e Komunës. Kurti na ka premtuar që të gjitha ato kërkesa që janë të deponuara në MAPL, do t’i marrë në konsideratë dhe do t’i ketë parasysh me çdo kusht në kontinuitet me rregullorën, që të na kthehet statusi si Komunë e Zhegrës,” kishte thënë ai.
Ekipi i Nacionales kishte qëndruar edhe në Komoran, fshat ky që tash e disa kohë, ka kërkuar që të bëhet komunë.
“Komorani ka qenë komunë para Drenasit, me kalimin e kohës ndodhi lufta, e Komorani është dashur të jetë komunë që nga paslufta, e pse nuk është, e dinë ata (Qeveria), sepse Komorani ka shumë fshatra, ne kemi më shumë se Drenasi“, na kishte thënë Halil Uka, banor atje prej 60 vitesh.

