Kurti sulmon 6 deputetët e LDK-së që s’iu nënshtruan, për Abdixhikun vetëm lëvdata - NACIONALE

Kurti sulmon 6 deputetët e LDK-së që s’iu nënshtruan, për Abdixhikun vetëm lëvdata

2 orë më parë

nga NACIONALE

Pakti politik mes kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhikut, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për kreun e shtetit, ka hasur në një mur refuzimi brenda vetë LDK-së. Gjashtë deputetë të partisë, mes tyre figura si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Kujtim Shala, kanë dalë kundër propozimit të Bekim Sejdiut për president.

Këtë të martë ata e bënë të qartë mospajtimin, duke argumentuar ndër tjera se nuk janë votuar për t'i shërbyer pushtetit të Kurtit.

Reagimi i deputetëve të LDK-së u pasua me mbledhje të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, nga ku Albin Kurti, gjatë një konference për media, pretendoi se besonte në mbështetje të plotë dhe pa rezerva për Bekim Sejdiun.

“Isha shumë i lumtur që mbështetja ishte e plotë për Bekim Sejdiun si president i Republikës së Kosovës. Natyrisht që kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të fundit. Në njërën anë, nga LDK-ja kishte mbështetje të plotë për emrin, mirëpo më pas patëm njoftimin që 6 deputetë nuk e mbështesin Bekim Sejdiun për president”, tha Kurti.

Kurti pranoi se kundërshtimi i tyre ka krijuar situatë të re dhe tha se do të takohet përsëri me Abdixhikun për të diskutuar se çfarë do të ndodhë më tej.

“Kjo është situatë e re, e cila kërkon që unë të takohem sërish me kryetarin e LDK-së dhe të kthehem në kryesi për të diskutuar rrugën përpara”, deklaroi ai.

Megjithatë, Kurti nuk u kufizua vetëm në konstatimin e dështimit për t’i siguruar gjashtë votat. Ai kaloi në sulm të drejtpërdrejtë ndaj deputetëve që kishin vendosur të mos e mbështesnin marrëveshjen.

“E konsiderojmë të papërgjegjshme dhe absurde një sjellje të tillë nga 6 deputetët, ku, me sa duket, ka interes që të shkojmë sërish në zgjedhje. Nuk do të duhej që përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të cilat janë të dëmshme”, tha Kurti.

Sipas tij, gjashtë deputetët po kundërshtojnë marrëveshjen me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje.

Në kontrast me gjuhën që përdori ndaj gjashtë deputetëve kundërshtues të akordit mes tij dhe Abdixhikut, Kurti pati vetëm fjalë pozitive për Abdixhikun dhe ekipin negociator të LDK-së që kishte punuar për marrëveshjen.

Ai falënderoi negociatorët e LDK-së dhe i përshkroi bisedimet me terma si “konstruktivitet”, “mirëbesim”, “kreativitet” dhe “përkushtim”.

“Me keqardhje na duhet ta themi që marrëveshjen politike që e arritëm me aq shumë mund – falënderoj edhe njëherë ekipin negociator të LDK-së – e arritëm me konstruktivitet, mirëbesim, kreativitet dhe përkushtim për të bërë marrëveshje”, deklaroi Kurti.

Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtm Shala janë emrat që dolën kundër marrëveshjes me Vetëvendosjen për President, duke mos u nënshtruar ndaj Abdixhikut e Vjosa Osmanit.

Lajme të ngjashme