Kurti 's'jep çehre zmbrapsjeje' në takimin me ambasadorët, premton vetëm "adresimin e çdo shqetësimi" - NACIONALE

Kurti 's'jep çehre zmbrapsjeje' në takimin me ambasadorët, premton vetëm "adresimin e çdo shqetësimi"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dinari dhe mbyllja e disa zyrave ilegale serbe në Kosovë kanë krijuar së fundmi një kaos diplomatik, me zyrtarët perëndimorë që shtuan presionin ndaj qeverisë për koordinim të duhur para zbatimit të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). E gjithë kjo çoi në një situatë ku shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët në Kosovë të shkojnë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar pa vonesë mbi zhvillimet e fundit.

Në orët e vona të së shtunës, Ambasada e ShBA-së në Kosovë i reagoi ashpër qeverisë lidhur me operacionet e fundit të kryera nga Policia e Kosovës - nën direktivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme - "për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia".

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian reagoi ndaj aksioneve të fundit policore për mbylljen e disa institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të banuara me shumicë serbe në Kosovë, duke i vlerësuar “me pasoja negative të drejtpërdrejta mbi jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës” për serbët lokalë të atyre zonave.

Këto reagime të ashpra rezultuan në ftesën e kryeministrit Kurti për të diskutuar mbi këto çështje. Në njoftimin e Qeverisë pas takimit, Kurti ndonëse “shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve vartëse që të adresojnë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur”, sërish nuk u zmbraps nga kërkesa direkte e ambasadorit Hovenier për shtyrjen e zbatimit të Rregullores “deri kur të bëhet më shumë punë për të zhvilluar një plan dhe strategji, dhe vizion që fakton disa realitete, disa shqetësime të komunitetit por edhe disa praktikalitete, se si një individ që paguhet një benefit social me para në dorë, si funksonon kjo për të”

Në vend të kërkesës së vendeve të QUINT-it, kreu i ekzekutivit u fokusua në adresimin shqetësimeve të qeverisë duke deklaruar se “situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia”. Gjatë takimit, Kurti prezantoi para ambasadorëve disa dokumente lidhur me funksionimin e strukturave ilegale të Serbisë brenda Kosovës dhe çështjes së ndalimit të dinarit.

Sipas këtyre dokumenteve të siguruara nga RTK, personat që punojnë në këto struktura janë përzgjedhur nëpërmjet proceseve jotransparente, duke përdorur strukturat e sigurisë në bashkëpunim me individë si Milan Radojçiqi. Aty thuhet se këto struktura janë shfrytëzuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse.

Kurti më tej ka deklaruar se aksioni i Policisë së Kosovë për mbylljen e komunave ilegale nuk kishte si qëllim mbylljen e sistemeve shëndetësore, arsimore, farmaceutike apo postare. Lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit, Kurti raportohet se ka prezantuar dëshmi se qytetarët e komunitetit serb tashmë kanë një llogari bankare në euro në një institucion të licencuar.

Lajme të ngjashme