Kurti sërish 'e ndal' gazin amerikan në Vlorë, i kthehet ekuacionit të qershorit
Edhe pse Uashingtoni po jep alarmin se treni rajonal i gazit të lëngëzuar amerikan po niset pa Kosovën, kryeministri në detyrë nuk reflektoi as ndryshim të kursit politik, as ndonjë trohë urgjence përballë këtyre thirrjeve. Ai iu rikthye sërish “ekuacionit” të qershorit.
Në ceremoninë për fillimin e ndërtimit të parkut diellor në Rahovec, kreu i qeverisë në detyrë deklaroi sërish se po shqyrtohet mundësia që gazi amerikan të shfrytëzohet në bashkëpunim me Shqipërinë, përmes termocentralit të Vlorës. Ai nuk dha afate, nuk përmendi marrëveshje konkrete dhe nuk shpjegoi se çfarë forme do të kishte kjo përfshirje.
“Po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngësuar nga SHBA përmes bashkëpunimit me Shqipërinë, përmes termocentralit të Vlorës.”, tha Kurti ndër tjera.
Deklarata e Kurtit ishte në masë të madhe një përsëritje e asaj që ai kishte deklaruar më 6 qershor në RTK.
Atëkohë foli se si, sipas tij, Kosova mund të investojë në Vlorë, ku gazi i lëngshëm do të shndërrohej në energji elektrike dhe kjo e fundit do të importohej përmes linjës së interkoneksionit 400 kV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Nga ana tjetër, në një op-ed të publikuar pak para zgjedhjeve të 7 qershorit, Ngarkuara me Punë e ShBA-së në Prishtinë paralajmëroi se vendi rrezikonte të mbetej i vetmi shtet ballkanik "pa qasje në GNL-në amerikane", nëse nuk ringjallej projekti i gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut, i pezulluar në 2021 nga kryeministri Albin Kurti.
Por paralajmërimi kryesor i saj lidhet me kohën: “Dritarja për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet.”
“Vonesa në këtë vendim rrezikon që furnizimet amerikane me GNL të zotohen diku tjetër dhe mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm të Ballkanit Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.”
Që prej kësaj thirrjeje të hapur amerikane, nuk ka pasur asnjë sinjal nga qeveria e Kosovës për t'i dëgjuar thirrjet e ShBA-së. Në vend të kësaj, Kurti përmendi sërish Vlorën, projektet diellore dhe bateritë akumuluese të financuara përmes Programit Kompakt të MCC-së.
Nuk dihet se sa do të ishte kostoja dhe çfarë kapaciteti do të sigurohej, brenda cilit afat, me çfarë çmimi do të blihej energjia dhe sa e varur do të bëhej Kosova.
Nga ana tjetër, nuk është publikuar asnjë analizë përfundimtare që të dëshmojë se lidhja e drejtpërdrejtë me korridorin rajonal do të ishte ekonomikisht e pajustifikueshme.
Sipas një artikulli të The Economist, politika e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor po orientohet gjithnjë e më shumë nga interesat e gazit natyror, sipas një artikulli të publikuar nga . Mediumi përmend edhe Kosovën si pjesë e ofensivës së re energjetike amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Kosova nuk ka ende lidhje me rrjetet rajonale të gazit, teksa The Economist vë theksin te presioni i ri amerikan për ta rikthyer në tavolinë projektin e pezulluar të gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut.
"Edhe Maqedonia e Veriut ishte më parë e varur nga gazi rus. Në shkurt, ajo nënshkroi një marrëveshje me të cilën u zotua të blejë gaz natyror të lëngshëm amerikan. Edhe Kosova e vogël është në shënjestër të Amerikës. Ajo nuk ka asnjë gazsjellës që e lidh me rrjetet rajonale të gazit. Në vitin 2021, Albin Kurti, kryeministri i saj, pezulloi një projekt për ta lidhur vendin me Maqedoninë e Veriut", shkruan ndër tjera The Economist.