Kurti reagon për sulmin ndaj Valon Sylës: I patolerueshëm dhe i papranueshëm
Po vazhdojnë reagimet ndaj sulmit të gazetarit Valon Syla. Për sulmin ndaj tij ka reaguar tashmë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë fjalës hyrëse në mbledhjen e qeverisë, Kurti ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarit Syla.
Ai ka thënë se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës.” – ka thënë Kurti.
Më tej, Kurti i ka uruar Sylës shërim të shpejt teksa ka bërë thirrje ndaj institucioneve që të sjellin autorët para drejtësisë.
“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë.” – ka thënë Kurti.
Për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla kishte reaguar mbrëmë edhe kryekuvendari Glauk Konjufca.
Edhe më tej nuk dihen zyrtarisht motivet e sulmit ndaj gazetarit dhe opinionistit Syla. Kjo nuk është hera e parë që ai është sulmuar fizikisht.
Ndërkohë pati dhjetëra reagime të cilët kërkoni nga kryeministri i Kosovës që të dënojë sulmin ndaj Sylës.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka dhënë detaje. Sipas raportit 24 orësh të PK-së, Syla është sulmuar nga tre persona të cilët deri më tani nuk janë identifikuara.
Të dyshuarit sipas policisë janë larguar me një veturë me targa vendore.
Rasti është cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”.
“LËNDIM I LEHTË TRUPORRr. Ilir Durmishi, Prishtinë 11.04.2023 – 22:29. Viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore.” – thuhet në raport.
Ndërkohë, Syla nga QKUK-ja ka folur për RTV Dukagjinin ku ka treguar se kush e ka sulmuar.
Syla ka thënë se ishin tre persona sipas tij “islamik fanatikë”.
“Po… sulmi, dmth… tre islamikë fanatikë më kanë sulmu. Shpejt e shpejt ka ndodh dhe kanë ikë.” – ka thënë Syla.
Ndryshe, analisti Valon Syla gjatë ditës së djeshme kishte bërë disa reagime lidhur me dhurmin e një veture “Mercedes” dhuratë për një hoxhë në Prizren, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.
Syla kishte kritikuar ashpër këtë gjest të hoxhollarëve, duke i quajtur “mulla mercedesa”.

