Kurti, Rama e Kovaçevski flasin nga Shkupi: Plani i Komisionit Evropian parasheh 6 miliardë euro ndihmë për Ballkanin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian është qëllimi dhe fati i Kosovës dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara.
Në nisje të takimit në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, Kurti është shprehur të hënën se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mundësojnë sa më shumë bashkëpunim rajonal.
“Te reforma në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq në kuadër të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimit të hendekut infrastrukturor”, ka deklaruar Kurti para të pranishmëve.
“Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma, ndërkaq mbështetja e BE duhet të jetë financiare. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë listën e projekteve indikativë. Sa i përket reformave, aty e kemi në qendër reformën e administratës...Ndërkaq, për projekte e kemi energjinë e gjelbër”, është shprehur Kurti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nisma e vendeve të Ballkanit Perëndimor është mundësi e mirë që nuk duhet humbur, derisa ka shtuar se “është kruciale që t’i vendosim qytetarët tanë në rend të parë”.
“Është kruciale dhe nëse mund ta bëjmë në kohë reale për t’u realizuar gjërat në muajt e ardhshëm që t’i definojmë se si do të duken vendet tona”, tha Rama.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, sot para fillimit të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ka treguar se çfarë do të diskutohet në mes liderëve të vendeve të rajonit.
Ai tha se do të flasin për planin për rritje për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, i cili përfshin rritjen e bashkëpunimit, si dhe rritjen ekonomike të shteteve. Ai tha se ky plan parasheh 6 miliardë euro ndihmë për shtetet e vendeve të rajonit.
“Është nder për Maqedoninë e Veriut të jetë nikoqir i këtij takimi. Qëllimi është të diskutojmë për planin për rritje për Ballkanin Perëndimor, për rritjen e bashkëpunimit të shteteve të rajonit. Takimi ka filluar mbrëmë, të gjithë liderët janë sot prezent në Shkup”.
“Do të miratojmë deklaratë të përbashkët që paraqet angazhim për realizimin e aktiviteteve. Plani për rritje do të sjell mjete financiare prej 6 miliardë euro, 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi që do të garantohen nga Komisioni Evropian”, tha Kovaçevski.
“Do të flasim edhe për heqjen e barrierave tarifore, rritjen e konkurrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor dhe lidhjen e tregjeve para anëtarësimit të shteteve në BE”, theksoi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Pjesëmarrës është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.