"Menjëherë e plotësisht": Qysh e sulmoi Kurti Vuçiqin gati një muaj pas marrëveshjes së Ohrit?
“Zbatim të menjëhershëm” – kërkon Kurti dhe “ne do t’i zbatojmë disa pjesë të marrëveshjes” – thotë Vuçiq. Këto janë vetëm disa nga deklarimet e fundit të perzonazheve kryesore të marrëveshjes së Ohrit që duken "ndër-sulmuese". Zbatimi i saj është në pikëpytje ndërkohë deklarimet kundërshtues për zbatimin e marrëveshjes po vazhdojnë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielen e 16 prillit përmes një shkrimi në Twitter, ka kërkuar zbatim të plotë dhe menjëherëshëm të aneksit për zbatimin e marrëveshjes me të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër më 18 mars.
I pari i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se nuk duhet të ketë asnjë zbatim të pjesshëm dhe zbatimi i plotë duhet të bëhet pa vonesa.
Ai ka përmendur se për të arritur në një marrëveshjes është dashur që të harxhohen dy vite kohë.
“Ne kemi kaluar 2 vitet e fundit në Bruksel duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet plotësisht,” – ka shkruar Kurti në Twitter.
“Asnjë zbatim i pjesshëm dhe pa vonesa.” – ka vazhduar Kurti.
Pse reagoi Kurti?
Reagimi i kryeministri Kurti erdhi disa ditë pas deklarimeve të bërë ditë më parë nga presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për zbatimin e marrëveshjes.
Në një paraqitje për televizionin publik serb, Vuçiq ka thënë se marrëveshja do të zbatohet vetëm në disa pjesë.
Ai ka thënë se pjesët tjera të marrëveshjes nuk do të zbatohen.
“Ne do t’i zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë atë që nuk do të zbatoj.” – ka thënë Vuçiq.
Nuk është hera e parë që Vuçiq shprehet se nuk do të respektohet marrëveshja.
Ai kishte thënë se pika ku lejon Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare nuk do të respektohet.
“Nuk ka bisedime për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të raporteve, pa tensione dhe pa konflikte, Serbia do t’i zbatojë” – kishte deklaruar Vuçiq.
Edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq i reagoi Kurti duke i kërkuar formimin e Asociacionit
“Për tre ditë, më 19 prill, bëhen saktësisht 10 vjet, një dekadë e tërë, nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ne kemi pritur 10 vjet që Prishtina ta bëjë punën e saj, 10 vjet që Asociacioni i i Komunave Serbe të formohet. Bëje atë.” – ka thënë Brnabiq si reagim ndaj shkrimit të Kurtit.
BE-ja
Mirëpo, nëse palët nuk e zbatojnë marrëveshjen atëherë Bashkimi Evropian ka paraparë sanksione ndaj tyre.
Në një deklarim për REL, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka komentuar deklarimet e Vuçiqt anipse ishte pyetur për to.
Ai ka thënë qartë se “marrëveshja është obligim që duhet të zbatohet, pa zgjidhur pjesët e saj.
“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj.” – ka thënë Stano.
Më tej, ai ka thënë se do të ketë pasoja nëse nuk zbatohet marrëveshja.
“...Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare.” - ka thënë ai.
Ndëryshe me 4 prill, Kosova dhe Serbia patën një takim në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq, u pajtuan zbatimin e marrëveshjes.
Gjithashtu në takimi ishte përfolur edhe data 22 prill si datë e mundshme për takimin e radhës Kurti-Vuçiq, por që deri më tani, kjo datë nuk është konfrimuar nga BE-ja.





