Kurti paralajmëron: Nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet për sulmin në Banjskë, s’ka dialog - NACIONALE

Kurti paralajmëron: Nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet për sulmin në Banjskë, s’ka dialog

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas paralajmërimeve për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ka thënë se nuk ka dialog nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet pas sulmit në Banjskë. Kjo deklaratë po bëhet një ditë pas ftesës së BE-së për takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog.” – ka thënë Kurti.

"Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin” – ka thënë tutje ai për Finacial Times.

Kurti i akuzoi sulmuesit se "po mundoheshin që të nisnin një konflikt të armatosur të ri, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit tonë".

Ai tha se pas sulmit të 24 shtatorit, "gjithçka ka ndryshuar. Nuk mund t'i kthehemi punës si zakonisht."

Tutje Kurti sipas raportimti i ka bërë thirrje emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që të ndalonte "së konsideruari Serbinë si forcë e natyrës, një lloj arushe iracionale të cilës duhet t'i hedhim qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes e sigurisë."

Kjo deklaratë e Kurtit vjen një ditë pas njoftimit të Bashkimit Evropian se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar për takim të enjtën më 26 tetor në Bruksel.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave.” – ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ndërkohë, Stano ka bërë të ditur se gjatë vizitës së pesëshes diplomatike u propozua një statut modern i Asociacionit.

Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – ka thënë ai.

Më tej, ai ka kërkuar që palët të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit.

Priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte.” – ka thënë ai.

Por ende nuk dihet nëse kryeministri Kurti do të shkojë në këtë takim. Deri më tani nuk është konfrimuar pjesëmarrja e tij.

Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë konfirmuar nëse Kurti do të udhëtojë për në Bruksel për takim më Vuçiqin.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila në RTV 21 të martën mbrëma ka thënë se është herët të konfrimohet pasi që ftesat janë dërguar të martën.

Është herët të konfirmohet pasi që ftesat janë konfirmuar sot pasdite perderisa Kurti është në vizitë jashtë vendit.” – ka thënë Kusari-Lila.

Duhet të kujtojmë se ky është takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Kurti e Vuçiqi për herë të fundit ishin takuar më 14 shtator në Bruksel, ku nga ky takim nuk pati ndonjë marrëveshje.

Lajme të ngjashme