Kurti nuk i ndal sulmet ndaj mediave: Përdor gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme - NACIONALE

Kurti nuk i ndal sulmet ndaj mediave: Përdor gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka të ndalur me sulme ndaj mediave. Kurti sulmoi mediat edhe gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Ndërkohë, për këto sulme ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) të cilët kanë dënuar gjuhën e kryeministrit Kurti.

Nuk është hera e parë, bile gati është e përditshme që kryeministri, Albin Kurti dhe vartësit e pushtetit sulmojnë mediat me gjuhë të papërshtatshme e me etiketime të ndryshme.

Kjo qeveri nuk zgjedh kohë as datë për të sulmuar, atë e bën në momentin e parë që iu jepet hapësirë.

Kësisoj veproi edhe të dielën kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të partisë së udhëhequr prej tij.

Kurti tha se mediat janë kundër qeverisë së tij, duke përmendur dy arsyet, e të cilat sipas tij janë këto:

“Kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti.” – ka thënë ai.

Më tej, ai u lëshua në paragjykime e gjuhë të rëndë ndaj mediave.

“Prandaj edhe janë kaq agresiv dhe janë në gjendje të bëhen me djallin vetëm e vetëm për ta kthyer kastën e vjetër në pushtet. Por në Kosovë populli është vetëdijësuar dhe i njeh ata si parën e kuqe e si rezultat edhe efekti i kësaj fushate të baltosjes do të jetë zero.” – ka thënë Kurti.

Si çdoherë, edhe kësaj radhe Kurti i ndërlidhi mediat me Serbinë, duke përjashtuar me çdo formë kritikën që bëhet nga to.

“Ata për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj” – ka thënë ndër të tjera ai.

E kjo gjuhë u cilësua e rrezikishme dhe u dënua fuqishmë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK-ja gjatë kësaj periudhe katër vjeçare ka pasur punë kogja shumë për të dënuar gjuhën e Qeverisë Kurti ndaj mediave.

Në reagimin e tyre thuhet se AGK-ja dënon fuqishëm gjuhën ofenduese dhe të shumë të rrezikishme të Kurtit, duke thënë se një gjuhë e tillë vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të mediave.

“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias.”- thuhet në reagimin e tyre.

Më tej, aty është bërë thirrje që Kurti të ndalojë së përdoruri këtë gjuhë të nxitjes së urrejtjes.

“Është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtejes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij. Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti.” – përfundon reagimin i tyre.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që mediat sulmohen nga pushteti i VV-së. Organizata ndërkomëbtare kanë përmendur dhjetra raste të sulmuve të pushtetit ndaj medias.

Lajme të ngjashme