“Kurti njerkë për komunat që s’e kanë votuar, nanë për të vet”: Krasniqi sheh ‘diskrimin të egër’ në investimet kapitale
“Diskrimimin i egër dhe i skajshëm”.
Kështu e vlerësoi Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ndarjen e buxhetit për investime kapitale nga Qeveria e Kosovës për komunat – ku katër komunat të udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje kanë marrë rreth 60% të këtyre investimeve, ndërsa mbarë komunat tjera të Kosovës që përbëjnë rreth 90% të banorëve të Kosovës kanë marrë vetëm 40% të këtij buxheti të paraparë për investime kapitale.
“Kurrë në historinë e Kosovës s’ka ndodhur një ndëshkim i tillë”, tha Krasniqi në një intervistë në Rubikon, teksa përmendi komunat që udhëhiqen nga PDK e që s’u është ndarë as edhe një cent për investime.
“Qe 4 vjet Kaçanikut nga niveli qendror s’i është nda as një cent, prap' është përjashtu”, tha Krasniqi, teksa shtoi se “po, katër komunat (të VV-së) kanë nevojë, por a s’paskan nevojë edhe Kaçaniku e Hani i Elezit a?”.
“(...) asnjë cent Ferizajit, Skenderajit, asnjë cent Fushë Kosovës, asnjë Gjakovës”.
“A po mburret (Kryeministri i Kosovës, Albin) Kurti që e ka buxhetin më të madh, 3 miliardë?”, shtroi pyetjen Krasniqi të cilës ia dha edhe vet konsekuencën me një kundërpyetje: “E qysh është e mundshme që mos me ua dhanë komunave nga 1 milion euro? As nga 100 mijë euro? as nga 1 mijë euro?”.
Në dritë të kësaj shpërndarje të parave të destinuara për investime kapitale, Krasniqi konstatoi se “është ndëshkim absolut” ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Qeveria vjen pas një procesi zgjedhor – e këta kanë marrë vota rekord – por, këta kanë marrë vota edhe në Gjakovë e Ferizaj...Por, tash që zgjedhjet lokale e i humbën ne është e padrejtë me i ndëshku njerëzit”, tha ai.
Krasniqi thotë se nga takimet që ka zhvilluar me njerëz anekënd Kosovës vëren një “ndjenjë të keqe” ndaj këtij “diskriminimi” që po u bëhet komunave nga niveli qendror. “Sepse shumë prej tyre e kanë votuar... e tash për inate personale me i përjashtu nga buxheti?”.
Këtë dikotomi Krasniqi e përmblodhi me frazën: “Nuk mundësh për dikë nanë, e për dikë njerkë” sepse “Qeveria duhet me qenë për të gjithë”.
Megjithatë Memli Krasniqi sheh në bazë të gjuhës dhe mënyrës së sjelljes së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ky i fundit ka hyrë “në një modus elektoral”.
Megjithëkëtë, ai beson se sikurse te kënga e Bob Marley-t ‘Get up, Stand Up’ njerëzit “kanë me u çu” kundër qeverisjes së tij dhe “do ta ndërrojnë atë”.
“Mirë që e provuan, përkundër faktit që kostoja e provës ka me i kushtu Kosovës”, tha ai.
Mes tjerash, Krasniqi në Rubikon foli edhe për draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicës serbe të cilën e quan “super Zajednicë” që qysh në Preambulë i referohet Rezolutës 12/44 dhe përmban brenda edhe Arbitrazh që e dërgon atë jashtë sistemit juridik dhe kushtetutes të Kosovës.
“Katuni që shihet kallauz nuk don, Asociacioni me Rezolutë 12/44 është absolutisht i papranueshëm”, tha ai.
“Nuk duhet kurrë me qenë, sepse e nxjerr menjëherë atë dokument jashtë sovranitetit të Kosovës. 12/44’a e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën”, tha ai.
Tjetri problem “thelbësor”, tha Krasniqi është “Arbitrazhi”.
“Këshilli i arbitrazhit e nxjerrë Asociacionin jashtë sistemit juridik të Kosovës; që i bie që nuk vlejnë as ligjet e Ksovoës e as Kushtetuta për Asociacionin. Nëse do të pranohej arbitrazhi si mjet i sqarimit dhe gjykimit e vendimarrjes për mosmarrëveshjes mes Qeverisë dhe Asociacionit kjo do të ishte e tmerrshme për Kosovën”, tha Krasniqi.
Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë kohëve të fundit në RTK konfirmoi se në Preambulë të draft-Statutit përmbahet Rezoluta 12/44.