Kurti një ditë para takimit në Ohër: S’është e drejtë të imponohet Asociacioni si më i rëndësishmi - NACIONALE

Kurti një ditë para takimit në Ohër: S’është e drejtë të imponohet Asociacioni si më i rëndësishmi

1 vit më parë

nga NACIONALE

U pajtua për propozimin evropian, rrjedhimisht, edhe për nenin 10 që thotë të respektohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë. Megjithatë, kryeministri Albin Kurti po thotë se nuk është e drejtë që të imponohet Asociacioni, si një prej marrëveshjeve më të rëndësishme.

Në një intervistë për “Alsat-M”, Kurti ka folur rreth taimit të nesërm duke konsideruar se është “projekti më i rëndësishëm politik e ekononik pas luftës së dytë botërore”.

“Nuk po them që nëse nuk ka nënshkrim, atëherë kemi nënshkruar mosmarrëveshjen, mirëpo edhe nuk mund të them që pa nënshkrim do të mund të quhet marrëveshje me gjithë mend. Andaj unë po e ritheksoj se do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe që shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë, por që natyrisht këtë nuk mund ta garantoj edhe për palën tjetër.” – ka thënë ai.

Asociacioni?

Kurti ka thënë se “nuk e mohon Asociacionin që është dakordim paraprak”, por thotë se “nuk mund të nxjerrim qeren para kalit”.

“Pra nuk i përjashtoj ato, asnjërën prej tyre, por konsideroj që njëkohësisht nuk është e drejtë që të imponohet një marrëveshje e vetme si më prioritarja ose më e rëndësishmja… Pra nuk e mohoj asociacionin që është një dakordim paraprak, mirëpo në anën tjetër nuk mund ta nxjerrim siç themi ne “qeren para kalit” dhe duhet ta kemi parasysh se marrëveshja e asociacionit nëse është e veçantë, është e veçantë në kuptimin që nuk e kaloj testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë…” – ka thënë ai.

Kurti madje, në këtë intervistë derisa foli për Asociacionin, e ka cilësuar këtë si “marrëveshjen me të dashur të tyre”, dhe nuk dihet nëse e ka pasur fjalën për ndërkombëtaret.

“Marrëveshja më e dashur e tyre për të cilën insistojnë dhe trumbetojnë gjithandej, në njërën anë nuk e ka kaluar Gjykatën Kushtetuese në Kosovë si test dhe në anën tjetër është shkelur prej vet atyre. Por unë besoj se të gjitha këto gjëra duhet t’i diskutojmë me durim, me përqendrim dhe gjithashtu me vullnet të mirë për të gjetur zgjidhje në dialogun në vijim, përfshirë sidomos takimin e nesërm në Ohër.” – tha ai.

Takimi në Ohër

Nesër pritet të ketë një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në qytetin e Ohrit.

Dje, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell në prag të takimit të së shtunës, u bëri thirrje palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ashtu siç u pajtuan për propozimin evropian.

“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.” – ka thënë ai.

Mes tjerash, kryediplomati ka përmendur edhe tensionet në veri të vendit gjatë fundit të vitit 2022, duke alarmuar se u shmang një "konflikt i plotë" mes dy vendeve.

“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u mor nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit. në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm.” – tha ai në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të BE-së.

Lajme të ngjashme