Kurti në takime të ndara me Izmir Zeqirin e Ilir Pecin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot në dy takime të ndara kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe atë të Zveçanit, Ilir Peci.
Përmes një komunikate për media, Qeveria ka thënë se në takim me Zeqirin u diskutua për “punën, progresin, arritjet e deritashme në njërën anë dhe në anën tjetër rreth sfidave aktuale e të trashëguara dhe mundësitë për t'i trajtuar dhe adresuar ato gjatë pjesës së mbetur të mandatit qeverisës”.
“Gjatë takimit u diskutua edhe rreth projektet ekzistuese, ato që kanë përfunduar dhe që janë në proces të punës, por në të njëjtën kohë edhe për projekte të reja. Nga drejtuesit e komunës u veçua rëndësia dhe nevoja e investimeve në infrastrukturë, sidomos në fshatrat e thella të komunës, por edhe e programeve të mbështetjes dhe mirëqenies sociale. Në këtë drejtim, ata e njoftuan kryeministrin Kurti mbi përgatitjet që Zyra e Kryetarit dhe drejtoritë komunale po bëjnë për seancën e kuvendit komunal, në të cilin pritet të diskutohet dhe votohet buxheti komunal për vitin 2025, projekte investive, nga i cili do të reflektohen edhe në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025.” – thuhet tutje.
Ndërkaq, në takim me Pecin është folur për qeverisjen komunale, shërbimet e reja e çështje të tjera.
“Temë qendrore në këtë takim, ishte qeverisja komunale, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, të cilat tashmë janë funksionalizuar në Komunën e Zveçanit. Kryetari Ilir Peci, e njoftoi kryeministrin me projektet e përfunduara, 12 sosh, gjatë mandatit tij dhe për projektet që janë në proces të zbatimit. U veçua praktika e takimeve të rregullta javore ndërmjet drejtuesve komunalë dhe qytetarëve të të gjitha komuniteteve, gjë që dëshmon nivelin e mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, masat mbështetëse të komunës për banorë në fushën e bujqësisë, nga të cilat shumica e përfituesve vijnë nga radhët e komunitetit serb, masat e punësimit të mbështetura nga Qeveria, e prej të cilave deri më tani 80 qytetarë janë punësuar, si dhe bashkëpunimin e afërt të komunës me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.” – ka njoftuar Zyra e kryeministrit.