Kurti në Strasburg me disa deputetë: Duartrokitja e sikletshme e Kusari-Lilës dhe “parashikimi” i Armend Mujës
“Kryeministri Kurti në Strasburg, mbahet takimi i 10-të i Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” – titullohet një prej videove të publikuara në llogarinë e Qeverisë në Facebook, ndonëse në Strasburg ndodhen edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovë. Çka ndodhi atje?
Sot në Strasburg është mbajtur takimi i dhjetë i Komitetit të Përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Në këtë tekst, do të informoheni rreth disa prej zhvillimeve interesante që ndodhen në këtë takim.
Fjalimi i Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte ai që nisi mbledhjen me një fjalim të mbajtur ku foli rreth të arriturave të vendit, e që në veçanti, i përmendi ato që ndodhen gjatë qeverisjes së tij.
Kryeministri foli për rritjen ekonomike dhe reformat në fusha të tjera, ndërsa i tha disa fjalë edhe rreth dialogut me Serbinë.
“Ne besojmë që marrëveshja themelore me Serbinë, përbën avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Qëndrojmë se marrëveshja dhe respekti ndaj integritetit territorial dhe ndalja e Republikës sonë dhe pastaj shkëmbimi i ambasadorëve, njohja e simboleve, për sa i përket të drejtave të pakicave, besojmë se Kushtetuta jonë ofron kornizën e mirëfilltë për të respektuare të drejtat e pakicave.” – ka thënë ai.
Duartrokitja e sikletshme
Duket se të pranishmëve, që kryesisht ishin deputetë të huaj dhe të Kuvendit të Kosovës nuk u ra ndërmend që të duartrokasin fjalimin e kryeministrit të Kosovës, por për këtë gjë u kujdes shefja e grupit parlamentar, Mimoza Kusari – Lila.
Politikanja kosovare që po qëndronte e ulut pranë kryeministrit Kurti, nisi të duartrokasë e këtë gjë, e respektuan edhe të pranishmit e tjerë.
Këtë moment, mund ta ndiqni në videon më poshtë nga minuta e 28-të.
Brengosja e zyrtarit evropian
Vassilis Maragos, shef i Njësisë në Komisionin Evropian ka thënë se kanë brenga sa i përket rreziqeve për politizim, në lidhje me reformat në administratë, derisa shtoi se janë të gatshëm të punojnë me Qeverinë e Kosovës.
“Do të doja të veçoja reformat në administratë publike, sa i përket ligjit të miratuar para pak kohësh, do të doja ta përshëndes zotimin e Qeverisë, por kemi shpresë dhe disa brenga sa i përket rreziqeve, por edhe parimeve dhe rreziqeve për politizim kur flasim për rekrutimin, po ashtu jemi të brengosur nga ndikimi të cilin disa prej këtyre reformave mund të kenë në institucionet kyçe. Jemi të gatshëm të punojmë me ju se si të zbuten këto.” – tha ai.
Për këtë gjë, me kryeministrin Kurti ishte konfrontuar edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Parashikimi i Armend Mujës
Deputeti i partisë në pushtet, Armend Muja gjatë fjalës së tij foli për aplikimin e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian derisa krahasoi dy raste, skenarin më të keq sipas tij, Shqipërinë, dhe skenarin më të mirë, Kroacinë.
Sipas këtyre dy skenarave, Muja vlerëson se Kosova do të anëtarësohet në BE në skenarin më të keq gjatë vitit 2052, ndërsa në skenarin më të keq gjatë vitit 2034.
“Pra shpresojmë dhe falenderojmë të gjithë anëtarët e Dhomave për mbështetjen e dhënë, por, për t’i futur gjërat në përspektivë, Kroacia kishte një proces shumë të shpejtë të anëtarësimit që zgjati 10 vjet, skenari më i keq ka qenë Shqipëria, dhe nëse Kosova nëse institucionet evropiane do të miratonin aplikacionin formal të Kosovës, nëse do të kishim rastin pesimist të Shqipërisë, anëtarësimi ynë do të zgjaste deri në vitin 2052. Nëse ndjekim shembullim e Kroacisë, shpresoj në vitin 2034.” – ka deklaruar ai.



