Strasburg: Kurti e mbaron fjalën por s'e duartroket askush, Mimoza Kusari "e nxjerr nga situata"
Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga disa deputetë po qëndron në Strasburg, atje ku aktualisht është duke u mbajtur takimi i dhjetë i Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Kurti para pak minutash ka përfunduar fjalimin e tij ku ka folur në lidhje me të arriturat e vendit, veçanërisht, ato që i konsideron suksese të qeverisjes së tij.
Kryeministri foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se marrëveshja me këtë shtet përbën avancim të marrëdhënieve.
“Ne besojmë që marrëveshja themelore me Serbinë, përbën avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Qëndrojmë se marrëveshja dhe respekti ndaj integritetit territorial dhe ndalja e Republikës sonë dhe pastaj shkëmbimi i ambasadorëve, njohja e simboleve, për sa i përket të drejtave të pakicave, besojmë se Kushtetuta jonë ofron kornizën e mirëfilltë për të respektuare të drejtat e pakicave.” – ka thënë ai.
Në fund të fjalimit të tij, Kurti ka përmendur renditjen e Kosovës në disa lista, derisa tha se vendi ka pasur edhe rritje ekonomike .
Në fund, Kurti tha: “Kosova çdo ditë dëshmon se është vend i ndërtuar mbi vlera evropiane dhe që i zotëron në shumë nivele të shoqërisë, dhe e ardhmja e të cilit është evropiane.”
Me të përfunduar fjalimi, ka pasuar një moment mjaft i sikletshëm kur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-lila që po qëndronte e ulur afër kryeministri Kurti, nisi të duartrokasë, gjë që paraprakisht nuk e bënë deputetët e pranishëm.
Megjithatë, të njëjtit kanë respektuar “kërkesën” e Kusari-Lilës dhe kanë duartrokitur edhe ata.
Këtë moment, mund ta ndiqni në videon më poshtë nga minuta e 28-të.