Kurti në DW: Duhet arritur një marrëveshje sa më shpejt me Serbinë, edhe para majit të vitit 2024
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka dhënë një intervistë të gjatë, saktësisht 26 minutëshe, për transmetuesin publik të Gjermanisë, Deutsche Welle. Në intervistën për emisionin “Zona e Konfliktit”, Kurti foli për shumë rti foli për shumë çështje, përfshirë mundësinë e një konflikti mes Kosovës, sundimin e ligjit në shtetin kosovar, dialogun me Serbinë, e lirinë e medies. Kurti vlerësoi se duhet një marrëveshje sa më parë me Serbinë, madje më herët se maji i vitit 2024, që nga Miroslav Lajçak u konsiderua si "dritare e mundësisë".
Si zakonisht, teksa numëronte bashkëpunimet ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë, Kurti theksoi se është joracionale të besosh se Serbia nuk do të sulmojë Kosovën.
Në intervistën në gjuhën angleze, gazetari e pyeti se nuk kishte asnjë shenjë se Serbia synonte të përdorte armatimin, të cilin Kurti deklaroi se po e merrte nga Rusia e Kina.
“Pra për cilin kërcënim saktësisht jeni duke folur?”, e pyeti gazetari Kurtin.
Shefi i Qeverisë së Kosovës e dha një përgjigje, të cilën e ka përsëritur shpesh.
“Unë kurrë s’kam thënë se jemi të frikësuar, por gjithnjë kam thënë se është jo e arsyeshme të konsiderosh që ata nuk do të sulmojnë. Dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe vigjilent, sepse, nën një, Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës si një vend të pavarur dhe prandaj nuk i njeh kufijtë tanë. Se dyti, ata nuk njohin krimet e kryera në të kaluarën dhe kurrë nuk janë distancuar nga regjimi i Millosheviçit, që bëri të intervenonte NATO-n në Kosovë më 1999 për të ndalur gjenocidin në Kosovë.”, tha z.Kurti.
Gjatë intervistës, i pari i ezkekutivit foli edhe për natën e 31 korrikut të këtij viti, data kur shteti i Kosovës intervenoi në veri për të zbatuar reciprocitetin për targa dhe dokumente.
Ai tha se atë natë, Serbia nëpërmjet strukturave paralele, të cilat i paguan, ishte e gatshme të luftonte.
“Ne duhet të ushtrojmë rendin e ligjit në secilën kilometër katror ose milje të territorit tonë, përfshirë pjesën veriore, ku ka disa struktura paralele ilegale të Serbisë janë aktive. Prandaj, ne nuk jemi duke intervenuar në Serbi. Serbia tentoi të destabilizon Kosovën dhe më 31 gusht të këtij viti, ata kanë ngritur 13 barrikada me një gatishmëri të caktuar me njerëzit e tyre, që i paguajnë që nga viti 1999, dhe njerëz të armatosur në mënyrë që të mos lejojnë lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit.”, theksoi Kurti.
Marrëveshja
Kurti foli edhe për “dritaren e mundësisë”, të cilën e përmendi Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së, duke thënë se ka më pak kohë se maji i 2024 për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme mes Kosovës e Serbisë.
“Unë pajtohem që nuk kemi shumë kohë dhe ne jetojmë jo vetëm në kohëra të rrezikut, por edhe të pasigurisë. Prandaj, nuk jam i sigurt që ne kemi dy vite (për marrëveshje). Ne duhet ta bëjmë atë sa ma shpejt. Dhe unë jam i gatshëm të përfshihem në mënyrë kreative dhe konstruktive në këto bisedime në Bruksel kurdo që ata na ftojnë.”, theksoi Kurti.
Kurti komentoi edhe situatën e medias në Kosovë, teksa u pyet se çfarë bënte si Qeveri për të ulur numrin e frikësimit të gazetarëve dhe nëse kjo i pengonte atij si kryeministër.
“Sipas Indeksit botëror të lirisë së medies, ne jemi ngritur për 17 vende, sipas vlerësimeve të Reporterëve pa Kufij. Prandaj, ne jemi duke bërë më mirë se sa në të kaluarën. Por, mendoj se tash media është shumë më në rrezik nga biznese të ndryshme se sa nga institucionet shtetërore. Pra Qeveria jonë është një instancë e pushtetit që dëshiron t’i ndihmojë medies, ndërsa është financimi i mediave të ndryshme online që është në një presion shumë më të madh mbi ta dhe është duke e rrezikuar lirinë e medies.”, tha fillimisht Kurti.

Por, ai u përball nga gazetari gjerman me një fakt jo aq të mirë, se në Kosovë gjatë vitit të kaluar janë raportuar 26 raste të lajmëruara nga AGK për ndërhyrje në fjalën e lirë nëpërmjet sulmit fizik ose kërcënimeve verbale.
“A e keni ditur për këtë?”, u pyet Kurti, i cili nuk dha një përgjigje direkte.
“E di që ka shembuj dhe ato po bëhen publike, por nuk ka asnjë shembull të presionit ose frikësimit mbi media, që nuk bëhet tash publik, ndërsa në të kaluarën keni pasur raste kur frikësimi as nuk është ditur. Sidoqoftë, numri i frikësimeve dhe presionit është duke u zvogëluar në Kosovë”, përfundoi Kurti për këtë temë.

