Hetimi i krimeve të luftës, Kurti thotë se prokurorët janë pasivë: Vetingu do të sjellë më të mirë - NACIONALE

Hetimi i krimeve të luftës, Kurti thotë se prokurorët janë pasivë: Vetingu do të sjellë më të mirë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është vënë në siklet në një intervistë të dhënë të dielën për gazetarin britanik, Tim Sebastian, në emisionin e tij “Zona e Konfliktit”. Kurti u pyet për hetimin e krimeve të Serbisë gjatë luftës në Kosovës dhe për punën që po bën Qeveria e tij në këtë aspekt.

Kryeministri, Albin Kurti, pati një intervistë jo të lehtë me gazetarin britanik, Tim Sebastian. Sebastian e ka pyetur Kurtin për mijëra civilë të vrarë, dhunuar e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kurti u pyet se a ka humbur interesimi për të kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Ka një rrugë të gjatë për të sjellur drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë”, ishte pyetja e Sebastian i cili shtoi se “a keni humbur interesimin për të kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre?"

Përgjigja e kryeministrit Kurti, ishte “natyrisht që jo”, pra sipas tij, qeveria nuk e ka humbur interesimin.

Mirëpo, tani më shumë se 1 vit e gjysmë në pushtet, Kurti edhe në këtë intervistë ka hedhur akuza ndaj prokurorëve, të cilët sipas tij, nuk e kanë kryer punën dhe janë treguar dembelë në kërkimin e drejtësisë.

Ai si masë ndaj tyre, ka përmendur Vetingun, e cila parë nga vështrimi i Qeverisë, pritet të ndryshojë kualitetin edhe qasjen e prokurorëve që merren me krime lufte.

Procesi i Vettingut do të sjellë prokurorë më të mirë dhe numër më të madh të atyre që do ta ndjekin krimin”, deklaroi Kurti.

Ka mijëra raste të krimeve të luftës që kanë mbetur pezull... Dhe kanë kaluar 23 vjet qysh nga fundi i luftës dhe ata (prokurorët) do të duhej të bënin më shumë dhe më mirë”, tha ai.

Po them se prokurorët tanë kanë qenë përgjithësisht pasivë. Nganjëherë korrupsioni vjen nga pasiviteti jo domosdo nga të bërit keq. Duhet të kemi më shumë prokurorë dhe më të mirë”, ka theksuar Kurti.

Ndërkohë, në Prokurorinë Speciale janë vetëm katër prokurorë, të cilët trajtojnë dhe hetojnë e rastet e krimeve të luftës.

E rritja e numrit të prokurorëve për hetimin e krimeve të luftës është premtuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur akoma.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka votuar për themelimin e Instituti për Krime Lufte në Kosovë që pritet të hetojë e dokumentojë krime të cilat janë kryer gjatë luftës.

Nacionale ditë më parë ka raportuar në detaje për këtë Institut.

Ndonëse lufta, sipas raporteve ndërkombëtare, ka përfunduar në qershor të vitit 1999, ky institut do ta shtrijë hetimin për ngjarjet që kanë ndodhur deri më 31 dhjetor të vitit 2000, pra për më shumë se një vit e gjysmë përtej përfundimit të luftës. Këtë periudhë e heton edhe Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Për zgjatjen e hetimeve deri më 31 dhjetor të vitit 2000 pati përplasje mes kryeministrit Kurti dhe shefit të deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Pjesë e nismës së Qeverisë Kurti për themelimin e Institutit janë edhe institucionet e tjera publike, përfaqësues të OVL-UÇK-së, shoqëria civile, njohës të së drejtës penale, KMLDNJ e të tjerë individë që kanë punuar në dokumentimin e krimeve serbe.

Në luftën e fundit në Kosovë, sipas të dhënave nga agjencitë ndërkombëtare, janë mbi 10 mijë civilë të vrarë, rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe mbi 120 mijë shtëpi të shkatërruara apo djegura.

Dhe akoma janë mbi 1600 persona të pagjetur. Për shumicën prej këtyre krimeve ende nuk është vendosur drejtësi dhe ka vetëm një pjesë të vogël në hierarkinë e ushtrisë serbe që janë dënuar, derisa një pjesë ka marrë vetëm dënim simbolike.

Lajme të ngjashme