Kurti në Bratisllavë: Kryetarët duhet të jenë në ndërtesa komunale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur tashmë në forumin Globsec në Bratisllavë. Ai ka vazhduar me qëndrimin e tij se kryetarët e zgjedhur në veri duhet të jenë në ndërtesat komunale.
Kurti foli para analistes së CNN Kim Dozler për zhvillimet në veri të vendit, e për të cilat Kosova po përballet me ndëshkime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai vazhdoi të thoshte që njësitë speciale të Kosovës duhej të ishin jashtë ndërtesave komunale. Për këto njësi speciale ai tha që i njihnin të drejtat e njeriut dhe se nuk kishin bërë shkelje ndaj komunitetit serb që po protestonte.
“Nëse këta kryetarë nuk do të jenë në ndërtesat komunale, ku të shkojnë? Kush do të jetë në ato ndërtesat komunale?” – pyeti ai analisten para të cilës ndodhej.
Takimi me Borrellin e Lajçakun
Kryeministri tregoi edhe se ishte takuar me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog Mirosllav Lajçak.
“Po diskutoja me Borrellin dhe Lajçakun... nëse do të kishte pasur protesta paqësore para se të mbaheshin zgjedhjet do të kuptoheshin nga unë.” – tha ai.
“Ne i kemi shtyrë zgjedhjet për katër muaj. Në prill duhej t’i mbanim. Më 23 prill, katër kandidatë shqiptarë fituan – dy nga partia ime, dy nga një parti opozitare. Ata janë kryetarë me shkronjë të vogël, jo me shkronjë të madhe. Nuk kanë legjitimitet të plotë.
Kryeministri nuk adresoi deklaratat e forta dënuese nga ana e ShBA-ve për veprimet e tij.
Sa i përket marrëveshjes që ka arritur, ai tha se Vuçiqi po pendohej.
“E kemi një marrëveshje me Serbinë, por veç duhet ta zbatojmë. Megjithatë, mendoj se presidenti i Serbisë i ka thënë “po” marrëveshjes në mënyrë që të mos e nënshkruajë, por tash është penduar që i ka thënë “po””.
