Kurti në Londër me shifra për qejfi, Kosova me rritjen më të ulët ekonomike në vite - NACIONALE

Kurti në Londër me shifra për qejfi, Kosova me rritjen më të ulët ekonomike në vite

2 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Në fjalën e mbajtur në ODI Global në Londër, Kryeministri Albin Kurti e vazhdoi avazin, tashmë të stërpërsëritur, të promovimit të një “suksesi të madh” në rritjen ekonomike të vendit, duke paraqitur shifra që nuk përputhen me të dhënat zyrtare. Gjatë këtij diskutimi, Kurti foli për performancë tejet pozitive të ekonomisë, ndonëse treguesit ekonomikë të viteve të fundit shpalosin një realitet krejt tjetër, dukshëm më të zbehtë dhe vite dritë larg numrave që pretendohen nga kreu i ekzekutivit.

Pretendimi, tashmë shumë herë i dëgjuar, i Kurtit është ai për “rritjen mesatare ekonomike 6%”. “Jam shumë krenar për arritjet që kemi bërë. Në 5 vitet e fundit, kemi pasur mesatarisht 6% rritje ekonomike të BPV-së...”, tha Kurti.

Sipas shifrave zyrtare, rritja reale e BPV-së së Kosovës për vitet 2021–2025 ishte 10.7%, 4.3%, 4.1%, 4.6% dhe 3.6%. Kjo rezulton në mesatare prej rreth 5.5%. Për më tepër, kjo mesatare del e fryrë nga viti 2021, që ishte viti i rikuperimit pas tkurrjes pandemike prej -5.3% në vitin 2020. Nëse analizojmë performancën ekonomike të Kosovës gjatë viteve 2022–2025, mesatarja bie në vetëm rreth 4.15%.

Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se rritja nuk ka rënë “asnjëherë nën 4%”: “...duke mos rënë kurrë nën 4%. Viti i fundit është i vetmi që është afër 4%, por nën këtë nivel. Këtë vit, do të kemi përsëri mbi 4%.”

Vetë të dhënat zyrtare tregojnë se rritja në vitin 2025 zbriti në 3.6%. Pretendimi i Kurtit bie ndesh jo vetëm me shifrat reale, por edhe me vetë fjalinë që pason, ku fillimisht deklaron “asnjëherë nën 4%”, e më pas pranon se viti i kaluar ishte nën 4%.

Viti 2025 rezulton të jetë një ndër vitet më të dobëta të periudhës së fundit dhe rritja më e ulët që nga viti 2018.

Kontrasti me periudhën para pandemisë është i madh.

Në vitet 2016–2019, nën qeveritë e kaluara, Kosova kishte rritje prej 5.6%, 4.8%, 3.4% dhe 4.8%, me një mesatare rreth 4.65%. Në vitet 2022–2025, nën qeverinë Kurti, rritja ishte 4.3%, 4.1%, 4.6% dhe 3.6%, me një mesatare rreth 4.15%.

Para pandemisë, ekonomia e Kosovës, në terma krahasues, kishte ritëm më të lartë se shumica e viteve të qeverisjes Kurti. Narrativa se vendi po kalon një periudhë të paprecedentë lulëzimi ekonomik rezulton e pasaktë përballë krahasimeve serioze të shifrave.

Edhe pretendimi për projeksionin e rritjes ekonomike për vitin aktual, 2026, është i pasaktë. Vetëm tetë ditë para paraqitjes në Londër, FMN-ja publikoi vlerësimin e saj zyrtar se rritja reale e Kosovës pritet të ngadalësohet në 3.3% në vitin 2026, dhe jo të jetë “mbi 4%”.

Në të njëjtin vlerësim, FMN-ja theksoi se aktiviteti ekonomik është ngadalësuar, se presionet inflacioniste janë shtuar dhe se rreziqet për perspektivën ekonomike anojnë kah ana negative.

Lajme të ngjashme