Kurti me video për veriun: Kemi shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka postuar një video në profilin e tij, ku ka komentuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
Sipas Kurtit, shteti i Kosovës në veri po përballet me grupet e të djathtës ekstreme.
“E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë.
Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti.” – tha Kurti.
Ai ka përmendur edhe Milan Radoiçiqin, ish-politikan që dyshohet për krime në Kosovë.
“Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq.” – vlerësoi Kurti.
Tutje, ai ka thënë se po komunikon me ndërkombëtarët.
“Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta.” – tha ai.