Kurti me Lajçakun sot në “drekë pune” - Për çka ishin pajtuar në takimin e fundit mes tyre
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak, sot do ta vizitojë Kosovën. Në anën tjetër, Qeveria ka thënë se Kurti e Lajçak do të kenë një drekë pune, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Por, për çfarë ishin pajtuar në takimin e fundit Kurti-Lajçak?
Kohëve të fundit, vizita e Lajçakut janë bërë të shpeshta. Ai gati se për çdo javë qëndron për vizitë në Kosovë. Kështu, Lajçak do të jetë i pranishëm edhe sot në vendin tonë.
Sipas zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, Kurti dhe Lajçak do të kenë një drekë pune.
“Kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë një drekë pune me emisarin Lajçak.” – ka thënë Kryeziu për KlanKosova.
Ndërkohe, sipas mediumit REL, Lajçak “do të diskutojë hapat e ardhshëm për dialogun”.
Por, REL përmend edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, rrjedhimisht, këtu hyn edhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Ndërkohë, në lidhje me këto raportime, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë Nacionales se është “pjesë integrale e punës e çdo përfaqësuesi special për të realizuar takime e për të bërë vizita”.
“Është një pjesë integrale e punës së çdo Përfaqësuesi Special të BE-së për të takuar partnerë dhe për të vizituar kryeqytetet në rajon për të cilat përfaqëusesi është përgjegjës. Ne zakonisht as nuk bëjmë njoftime specifike për vizita të tilla pune dhe as nuk i komentojmë ato.” – theksoi z.Stano.
Takimi i fundit Kurti-Lajçak
Në anë tjetër Lajçak në takimin e fundit që pati në orët e vona me Kurtin, theksoi se më të është pajtuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut, në të cilën përfshihet edhe marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ata ishin takuar në orët e vona në një lokal dhe Kurti në këtë takim ishte bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.
“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe ZKM Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.” – kishte shkruar Lajçak në Tëitter.
Kur Kurti u pyet për këtë deklarim të Lajçakut, tha se Asociacioni nuk ka kaluar testin e Kushtetueses dhe se nuk mund të ketë Asociacion njëetnik.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që të ketë sa më parë takime për të diskutuar për propozimin franko-gjerman.
“Andaj kërkojmë nga Zyra e përfaqësuesit të BE-së, Borrell, që sa më parë të na ftojë në takime të shpeshta që të avancojmë lidhur me këtë propozim. Jam i gatshëm të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme, dhe të sigurohemi për mekanizma që garantojnë implementim.” – ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka paraqitur edhe gjashtë kushtet e Qeverisë së tij për zbatimin e Asociacionit, si kërkesë kryesore e palës ndërkombëtare.
Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.



