Kurti me 'entuziazëm' nga Barcelona përshëndet Byronë që nuk konfiskon pasuri - NACIONALE

Kurti me 'entuziazëm' nga Barcelona përshëndet Byronë që nuk konfiskon pasuri

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Premtimi i ricikluar, tash shtatëvjeçar, për "kthimin e pasurisë së plaçkitur" po sheh të marrë formë ligjore në prag të një kohe ku pushteti duket të ketë ndërmend zgjedhje të rjea.

Projektligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Ky zhvillim vjen pas gati dy vitesh që kur versioni i parë i këtij ligji ishte rrëzuar tërësisht nga Gjykata Kushtetuese.

Për partinë Vetëvendosje, ky ligj mbetet karta kryesore me të cilën pretendojnë se do të godasin korrupsionin e shtresuar ndër vite.

Kryeministri Albin Kurti, i cili ndodhej në një vizitë në Barcelonë, e përshëndeti votimin përmes një reagimi në distancë.

“Sot nuk isha në seancë për shkak të një vizite të paracaktuar zyrtare në Barcelonë,” sqaroi kreu i qeverisë kosovare.

Ai theksoi se ligji u miratua në parim dhe pret që sa më parë të votohet edhe në lexim të dytë.

“Që më në fund ky ligj me institucionin përkatës të fillojë punën,” u shpreh Kurti, duke i dhënë peshë politike procesit.

Megjithatë, ajo që dikur me kollaj jepej për drejtësi të shpejtë, tani është shndërruar në procedurë civile të ndërlikuar dhe teknike.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u kujdes të sqaronte se Byroja nuk do të ketë fuqinë që votuesve të tyre ua kishin ndjellur në imagjinatë.

“Byroja nuk konfiskon. Ajo mbledh, verifikon dhe analizon informacionin,” deklaroi Gërvalla para deputetëve në komisionin për legjislacion.

Ajo u shpreh se ky institucion do të ketë vetëm rol përgatitor, ndërsa fjalën e fundit do ta ketë gjithmonë gjyqësori.

“Vendimi për konfiskim merret nga gjykata,” shtoi ajo, duke larguar “shqetësimet” për tejkalim të kompetencave.

Për opozitën, ky ligj mbetet një tregim veçse elektoral që rrezikon sërish të përfundojë në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, kritikoi ligjin në kompetencat e gjera që i janë lënë drejtorit të këtij institucioni të ri.

“Gjykata Kushtetuese e ka thënë qartë se nuk mundet me akte nënligjore,” rikujtoi Gruda gjatë një debati të fundit në komisionin parlamentar për legjislacion.

Sipas tij, drafti aktual i jep pushtet të madh drejtorit për të prodhuar procedura që kanë karakter material.

Deputeti Besnik Tahiri ngriti alarmin se pushteti po krijon një instrument që nuk garanton sigurinë juridike të qytetarëve.

“Janë dy probleme thelbësore: parimi i kushtetutshmërisë dhe siguria juridike,” deklaroi Tahiri, duke kërkuar konsultime publike të mirëfillta.

Ai u bëri thirrje Vetëvendosjes që të “mos krijoni instrument që rrëzohet sërish në Gjykatë Kushtetuese.”

Në anën tjetër, deputetja Blerta Deliu beson se ky institucion mund të përdoret për qëllime politike.

“A është argument që kjo qeveri po themelon byro politike për gjueti shtrigash?” pyeti ajo.

Deliu akuzoi qeverinë se nuk i ka adresuar të gjitha gjetjet e mëparshme të instancave më të larta ligjore.

Edhe shoqëria civile, përmes Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kërkoi që procesi të mos bëhet me nxitim elektoral.

“Kuvendi të sigurojë që projektligji të jetë i zbatueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën,” thuhet në qëndrimin zyrtar të KDI-së.

Ata vlerësojnë se konfiskimi civil është i rëndësishëm, por vetëm nëse ndërtohet mbi baza të qarta dhe të qëndrueshme.

KDI i bëri thirrje partive politike që të mos e mbyllin debatin brenda mureve të Kuvendit, por të përfshijnë qytetarët.

“Kjo periudhë duhet të përdoret për të trajtuar në mënyrë të plotë çështjet që derivojnë nga vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese.”

Në versionin e rishkruar, verifikimi do të mbulojë pasurinë e fituar nga data e shpalljes së pavarësisë, 17 shkurt 2008.

Pragu fillestar për nisjen e verifikimit është caktuar në 25,000 euro mospërputhje mes pasurisë dhe të hyrave zyrtare.

Ligji parasheh që anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të mos jenë pjesë e partive.

Mbetet të shihet nëse këto ndryshime do të jenë të mjaftueshme për t'i mbijetuar filtrit të Gjykatës Kushtetuese.

.SHIKO EDHE:

Lajme të ngjashme