Kurti kujton Ivanoviqin: Më vjen keq, autorët dhe ata që porositën krimin nuk kanë dalë para drejtësisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar politikanin serb, Oliver Ivanoviq në pesë vjetorin e vdekjes së tij.
Në një video mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka thënë se Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interest e komunitetit e qytetit të tij.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.” – ka thënë Kurti.
Tutje, kryeministri i Kosovës ka thënë se i vjen keq që fajtorët për këtë krim, nuk janë dënuar ende.
“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.” – ka thënë ai.
Në fund, Kurti shtoi se vrasja e Ivanoviq, ka ndikuar në të gjithë shoqërinë.
“Vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë. Ky krim vrau jo vetëm Oliver Ivanoviqin, por edhe pluralizmin politik te serbët. Kosova do të jetë e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një shoqëri multikulturore dhe shumë etnike ku njerëzit ndihen të sigurt, mund të thonë mendimet e tyre dhe ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, edhe nëse nuk pajtohen. Në këtë mënyrë të gjithë do ta ruajmë kujtimin e Oliver Ivanoviqit." – ka thënë kryeministri i Kosovës.